E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ribashkimi familjar, përcaktohen kushtet e reja

Cilat leje qëndrimi janë të vlefshme për të kërkuar bashkim familjar. Të ardhurat që duhet të sigurohen sipas numrit të familjarëve që ribashkohen

Italia bën publike kushtet e reja që duhet të përmbushin shtetasit e huaj për të kryer ribashkimin familjar. Dispozitat e reja mbi ribashkimin familjar kanë hyrë në fuqi më 5 nëntor 2008. Data kur hyri në fuqi Dekreti legjislativ i 3 tetorit 2008, nr. 160. Ministria e Brendshme saktëson se kur ka kërkesa për ribashkim familjar të paraqitura para kësaj date dhe që ende janë në fazën e shqyrtimit, i interesuari kur të thirret duhet të provojë se plotëson kushtet e reja të vendosura me atë dekret (nr. 160).
Kushtet
E drejta për të ruajtur apo ngritur unitetin familjar me familjarë të huaj, i njihet të huajve që zotërojnë një prej tipave të mëposhtëm të lejeve të qëndrimit: kartë qëndrimi apo leje qëndrimi CE për rezidentët afatgjatë (ky autorizim i ri zëvendëson kartën e qëndrimit); leje-qëndrimi me vlefshmëri kohore jo më të vogël se një vit, të lëshuar për motive si punëmarrës, i vetëpunësuar, si dhe për motive azili, studentore, motive fetare dhe familjare, apo edhe për motive të mbrojtjes shtesë (neni 28 i Tekstit Unik për Imigrimin). Kjo e drejtë nuk ka të bëjë vetëm bashkëshorte/ë të të huajit/huajës, por edhe familjarë të huajit/huajës, si më poshtë: bashkëshort/e i/e pandarë ligjërisht dhe në moshë jo më pak se 18 vjeç; fëmijë të mitur deri 18 vjeç (në momentin e paraqitjes së kërkesë), edhe të bashkëshort/es, apo të lindur jashtë martese, të pamartuar, me kusht që prindi tjetër në këtë rast, të japë miratimin i tij/saj; këtë të drejtë e gëzojnë dhe fëmijët e adoptuar, ato në kujdestari dhe të miturit nën tutelë; fëmijë të rritur, në ngarkim, që nuk mund të plotësojnë kërkesat e tyre, të domosdoshme të jetesës për arsye të gjendjes së tyre shëndetësore, e cila sjell një invaliditet të plotë; prindër në ngarkim të kërkuesit/es (por jo të bashkëshortes/it), kur ato nuk kanë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës apo të prejardhjes, apo prindër mbi 65 vjeç, kur fëmijët e tjerë janë të pamundur t’i mbajnë ato për motive të rënda, të dokumentuara shëndetësore.
Të ardhurat
Për të realizuar bashkimin familjar nevojitet të deklarohet një e ardhur vjetore nga burime të ligjshme. Kjo e ardhur nuk duhet të jetë më e vogël se shuma vjetore e çekut social, e rritur me gjysmën e tij për çdo familjar me të cilin kërkohet ribashkimi. Për ribashkimin me dy a më shumë fëmijë nën moshën 14-vjeçare, apo me më shumë familjarë të titullarëve të statusit të mbrojtjes së përkohshme do të jetë e domosdoshme një e ardhur jo më e vogël se dyfishi i çekut social vjetor. Me qëllim përcaktimin e të ardhurave të kërkuesit për ribashkim familjar është e domosdoshme të merren parasysh edhe familjarët që janë ribashkuar më parë në ngarkim të kërkuesit. Sipas normave në fuqi për përcaktimin e të ardhurave merret parasysh edhe e ardhura vjetore komplekse e familjarëve që bashkëjetojnë me kërkuesin. Familjari për të cilin kërkohet ribashkimi duhet që nga ana e tij të paraqesë pranë autoriteteve italiane konsullore të akredituar në vendin ku banon, dokumentacionin që provon marrëdhëniet familjare, moshën e mitur, apo gjendjen shëndetësore. Atje ku nuk mund të provohen marrëdhëniet familjare, në mënyrë të sigurt, përmes certifikatave, apo vërtetimeve të lëshuara nga autoritetet kompetente të huaj, për arsye të mungesës së një autoriteti të njohur, apo sidoqoftë kur ka dyshime të arsyeshme mbi autenticitetin e dokumentacionit si më sipër, përfaqësitë diplomatike dhe konsullore kujdesen për lëshimin e certifikatave bazuar në ekzaminimin e ADN-së, të kryer me shpenzimet e të interesuarve. Sporteli Unik lëshon riçevutën e paraqitjes së kërkesës dhe të dokumentacionit. Pasi verifikohet plotësimi kërkesave si më sipër, brenda 180 ditëve nga paraqitja e praktikës, Sporteli Unik lëshon miratimin apo refuzimin e kërkesës, duke ia përcjellë vendimin autoriteteve konsullore.

Shembuj të të ardhurave, sipas numrit të familjarëve që ribashkohen:

Vetëm një familjar, e ardhura minimale 7.976.48 (baras me 5.317,65 që është shuma e çekut social për 2009, plus 2.658,85 euro, pra gjysma e çekut social)
Dy familjarë, e ardhura minimale 10.635,30 euro;
Dy a më shumë fëmijë nën moshën 14-vjeç, e ardhura minimale 10.635,30 euro.
Tre familjarë, e ardhura minimale 13.294,75 euro;
Dy a më shumë fëmijë nën moshën 14-vjeç plus 1 familjar mbi 14 vjeç, e ardhura minimale 13.294,75 euro;
Katër familjarë, e ardhura minimale 15.953,00 euro.

5 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›