Notarët kundër Federatës: “Nuk shkojmë në Botëror pa Jonin”
“Pishina” e notit shqiptar nuk mund të jetë kurrsesi e qetë. Notari i “Tirana Delfina Sportit”, Jon Pepaj, kërkon nga Federata Shqiptare e Notit (FSHN) që ta sponsorizojë për të marrë pjesë në Botërorin e Romës, pasi trajneri që stërvit djaloshin 18-vjeçar, Shpëtim Hoxha, nuk njihet si i tillë nga FSHN-ja. Jon Pepaj në një bisedë me “Albania”-n shprehet se ai është i dyti notar më i mirë i Shqipërisë në bazë të rezultateve të omologuara nga FINA (Federata Botërore e Notit) dhe pikëve të marra prej tyre për vitin 2008, pas notarit Sidni Hoxha, përfaqësuesi i Shqipërisë në lojërat olimpike “Pekin 2008”. “Me turnetë e zhvilluara vjet në Beograd dhe Shkup kam marrë më shumë pikë sesa ato që ka mbledhur notari Mario Sulkja, të cilit i është dhënë sponsorizimi nga ana e Federatës”, - u shpreh ai. “Nëse shikoni klasifikimet për Shqipërinë, unë jam i dyti pas Sidni Hoxhës”, - shtoi Pepaj. Trajneri i Pepajt, Shpëtim Hoxha, u shpreh se është ankuar në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS) për këtë që ai e quan padrejtësi. “Kam dërguar rezultatet në MTKRS dhe më kanë premtuar se do ta zgjidhin çështjen me drejtësi”, - u shpreh ai.
Notarja më e mirë e Shqipërisë përsa u përket vajzave, Rovena Marku, (edhe kjo përfaqësoi Shqipërinë në “Pekin 2008”), pohon se ajo nuk ka ndërmend të shkojë në Botërorin e Romës pa shokun e saj të skuadrës “Tirana Delfina Sport”, Jon Pepaj. “As unë dhe as Sidni Hoxha nuk do të shkojmë në kampionatin botëror nëse Joni nuk sponsorizohet nga Federata. Ai e meriton me rezultatet që ka, ndaj ne nuk do ta lëmë në baltë”, - tha ajo. Në fakt, FSHN-ja caktoi katër sportistë për t’i sponsorizuar për në Botëror në një mbledhje të mbajtur më 27 shkurt dhe, sipas vlerësimit të saj, sponsorizimin e merituan Sidni Hoxha, Mario Sulkja për meshkuj dhe Debora Keçi e Tea Pikuli për femra, duke përjashtuar nga kjo e drejtë Pepjan.
Murinjo, akuza kundër të gjithëve
Më i ashpër se kurrë. Akuzues. Shokues. I patolerueshëm. “Ka ndodhur një manipulim intelektual i jashtëzakonshëm. Është bërë një punë madhështore për të manipuluar opinionin publik kundër nesh. Një punë e jashtëzakonshme nga ana e medias, por në një botë që nuk më përket aspak. Unë punoj në botën e futbollit, ndërsa media nuk është bota ime”. Për shtatë minuta me radhë ka folur ashpër ndaj gazetarëve të pranishëm në zyrën e shtypit të “Apiano Xhentiles”, në konferencën e mbajtur në prag të ndeshjes së sotme, e vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, që Interi do të luajë me Sampdorian. Hoze Murinjo, trajneri i zikaltërve, ka replikuar ashpër ndaj të gjitha polemikave të ndezura nga skuadra e Romës dhe më pas të fryra nga media italiane, pas barazimit 3-3 të Interit me verdhekuqtë. Kujtojmë që episodi i shumëdiskutuar është 11-metërshi i paqenë, ose më saktë i dyshimtë, i akorduar nga gjyqtari Ricoli në sfidën e “San Siros” në favor të Balotelit. “Në dy ditët e fundit nuk është folur për gjë tjetër veçse për Romën, e cila ka në përbërje të saj lojtarë të mëdhenj, por që do ta mbyllë këtë sezon pa asnjë titull”, – ka thënë ashpër portugezi Murinjo. “Nuk flitet për Milanin që ka 12 pikë më pak se ne dhe që gjithashtu do ta mbyllë këtë sezon pa asnjë trofe. Nuk është përfolur as Juventusi, që në vitet e kaluara apo edhe këtë sezon ka grumbulluar shumë pikë falë ndihmës së gjyqtarëve. Dëshiroj të jem i qartë për të gjithë: E vetmja ndeshje që ne kemi fituar falë një gabimi arbitrar ka qenë ajo e zhvilluar ndaj Sienës”, - ka pranuar kreu i pankinës interiste.
Novelino e mbron Murinjon
Pas aventurës së suksesshme në Premier Ligë, ai mbërriti në Serinë A me pseudonimet e “Special One” dhe “Antipatikut”, ndaj nuk është aspak e çuditshme nëse Hoze Murinjo përdor si armë polemikat në jetën e përditshme dhe keqtrajton median. Shumë shpesh, për të mos thënë gjithmonë, ecën kundër rrjedhës dhe konferencat e tij për shtyp i ngjasojnë përherë e më tepër një loje qitjeje kundrejt kolegëve të tij, apo medias. Gjithsesi, nëse shumë prej trajnerëve të Serisë A nuk e simpatizojnë trajnerin portugez, Valter Novelino deklaron hapur se mban anën e Murinjos. Trajneri i Torinos i del në mbrojtje kolegut të tij, mbi të gjitha pas polemikave të dy ditëve të fundit: “Murinjo është një njeri për së mbari, ashtu siç është edhe Klaudio Ranieri. Deklaratat e tij janë vetëm provokime. Hoze është gjithmonë i sinqertë në atë që thotë dhe nuk ka frikë ta theksojë atë përpara të gjithëve. Nga ana tjetër, duhet pranuar se qëkur ka mbërritur në Itali, shtypi e ka masakruar atë”.
Tare: “Lacio synon fitimin e Kupës”
“Kupa e Italisë është një nga objektivat sezonalë të Lacios dhe për këtë do të japim maksimumin për ta fituar. Do të jetë një ndërmarrje e vështirë, pasi përballë kemi Juventusin. Për Pandevin, rinovimi i kontratës është shumë afër”, - tha Igli Tare, drejtuesi i lartë i Lacios e bëri të ditur këtë për radion italiane “Kiss Kiss”.
Bogdani - “Herët e vonë goli i Bogdanit do të vijë”. Të paktën kushtu shprehen te Kievo, që duket se ka rilindur në kampionatin italian të Serisë A.
4 Mars 2009