Itali, ligji i ri “shtrëngon rripat” për emigrantët
Italia ka miratuar një ligj të ri, që vështirëson në shumë aspekte jetën e emigrantëve shqiptarë në Itali. Në këtë mënyrë, si kostoja e marrjes së lejes së qëndrimit, ashtu edhe procedurat janë vështirësuar. Në të njëjtën kohë, marrja e nënshtetësisë italiane zvarritet në kohë, duke arritur në 2 vjet, nga gjashtë muaj që ishte, për bashkëshortin apo bashkëshorten e një shtetasi italian.
Specialisti në Ministrinë e Punës, z. Durim Hatibi, sqaron se edhe sanksionet për emigracion të paligjshëm janë shtuar, duke e çuar në gjobë deri në 10 mijë euro dhe burgim deri në një vit. Sakaq, mjekët dhe infermieret do të duhet të raportojnë në polici nëse një emigrant i paligjshëm paraqitet në spital, çka nuk ishte parashikuar më parë, me qëllim ruajtjen e jetës së emigrantëve, qofshin edhe të paligjshëm.
Gjoba deri në 10 mijë euro
Masat më drastike të marra kanë të bëjnë me emigracionin e paligjshëm. Si pasojë, dikush që kapet pa dokumente, do të paguajë 5 deri në 10 mijë euro dhe do të riatdhesohet menjëherë.
“Futet shkelja e hyrjes dhe qëndrimit të parregullt, por kjo nuk sjell burgosjen e menjëhershme. Parashikohet një gjobë nga 5-10 mijë euro. Po kështu parashikohet mundësia e riatdhesimit, pa lëshimin e miratimit nga ana e autoriteteve kompetente”, – thotë z. Hatibi.
Njëkohësisht, ligji parashikon edhe sanksione ndaj atyre që e favorizojnë hyrjen e parregullt. “Ashpërsohen të gjitha normat e lidhura me favorizimin e hyrjes së parregullt, ndërsa nuk preken aspak ndëshkimet për shfrytëzuesit. Ai/ajo që duke shfrytëzuar kushtet e qëndrimit të parregullt vjel një përfitim të padrejtë (apo që punëson punëtorë të parregullt të paguar nën normë) kështu nuk do ta shohë veten të goditur edhe më rëndë”, – bën të ditur z. Hatibi.
Por masa më drastike e marrë nga qeveria italiane ka të bëjë me sektorin e shëndetësisë. Deri tani ishte parashikuar që mjekët dhe infermieret nuk ishin të detyruar të raportonin emigrantët ilegalë që shkonin në spitale. Qëllimi i këtij diferencimi ishte që emigrantët të kishin trajtim shëndetësor, pa pasur frikën e ekstradimit, në mënyrë që të ruhej jeta e tyre. Por, sipas z. Hatibi, ligji i ri parashikon se “mjekët dhe personeli spitalor duhet të sinjalizojnë autoritetet kompetente, me qëllim dëbimin e të huajve pa leje qëndrimi, që vijnë pranë strukturave të tyre spitalore”.
Leja e qëndrimit
Ligji i ri vështirëson edhe lejen e qëndrimit, por edhe vizën e hyrjes për bashkim familjar. “Nuk do të jetë më e mundur të kërkosh vizë hyrjeje, nëse miratimi për hyrje me motive të ribashkimit familjar nuk lëshohet 180 ditë pas përpunimit të praktikës. Kështu davaritet edhe një mundësi garancie e ushtrimit të së drejtës familjare, e parashikuar për t’iu kundërvënë burokracisë së tejngadalshme”, – thotë z. Hatibi.
Për lejen për qëndrim afatgjatë në Itali, është përcaktuar një detaj shtesë, kalimi me sukses i një testimi për njohjen e gjuhës italiane. Ndërkohë, do të duhet të paguhet një kontribut që varion nga 80 në 200 euro, që është i vlefshëm për të gjitha praktikat që lidhen me lëshimin dhe ripërtëritjen e lejes së qëndrimit.
Ligji i ri parashikon edhe vendosjen e një sistemi pikëzimi (me kredite) për lejen e qëndrimit. Kjo është përcaktuar në marrëveshjen e integrimit dhe do të duhet të nënshkruhet nga aplikanti në çastin e lëshimit të lejes së qëndrimit. “Kriteret dhe modalitetet do të vendosen me një rregullore të posaçme”, – thotë z. Hatibi.
Aplikimi për shtetësinë italiane
Një procedurë tjetër e vështirësuar ka të bëjë me aplikimin për shtetësinë italiane. Në këtë mënyrë, bashkëshortët e shtetasve italianë do të duhet të presin më gjatë sesa më parë, si edhe duhet të paguajnë një taksë për aplikimin për shtetësinë. “Dhënia e shtetësisë me martesë mund të bëhet pas dy vitesh qëndrimi në territorin e shtetit italian dhe pas tri vitesh në rastin kur bashkëshort/ja gjendet jashtë. Kjo kohë përgjysmohet për fëmijët. Dispozitat e mëparshme parashikojnë një kohë gjashtë muajsh; po kështu duhet të paguhet një taksë 200 euro”, – thotë z. Hatibi.
Sakaq, rreptësohen edhe kushtet për këto martesa me një ndryshim të Kodit Civil, që parashikon futjen e detyrimit të paraqitjes së lejes së qëndrimit. Kështu nuk do të ketë më martesa mes të parregulltve.
Për sa i përket regjistrimit në gjendjet civile, emigrantët do të duhet të paraqesin në çdo rast lejet e tyre të qëndrimit. Në të kundërt, regjistrimi do të jetë i pamundur. Çregjistrimi do të bëhet automatikisht 6 muaj pas skadimit të lejes së qëndrimit, ndërsa për emigrantët që nuk kanë banesë fikse, do të krijohet një regjistër i veçantë pranë Ministrisë së Brendshme të Italisë.
Dërgimi i parave
Të ashtuquajturat “shërbime të transferimit të parave” do të jenë të detyruara të kërkojnë paraqitjen e lejes së qëndrimit dhe kopjen e saj ta ruajnë për dhjetë vjet. Po kështu, duhet t’ua komunikojnë ekzekutimin e transaksionit autoriteteve kompetente në rastin kur bëhet për një subjekt që nuk zotëron leje qëndrimi.
Raste të veçanta
Si mund të hapet një biznes i ri në Itali nga emigrantët
Specialisti i Ministrisë së Punës, z. Durim Hatibi, u përgjigjet pyetjeve të emigrantëve shqiptarë në Itali në lidhje me legjislacionin e emigracionit. Ai sqaron si mund të çelet një biznes i ri nga emigrantët në Itali. Cilat janë procedurat dhe kërkesat që ai duhet të plotësojë?
Kam një leje qëndrimi për motive punësimi si punëmarrës prej disa vitesh. Tani do të doja të nis nja aktivitet si i vetëpunësuar. ǒduhet të bëj?
Shtetasi nga shtete jo anëtare të BE-së që synon të ushtrojë një aktivitet punësimi si i vetëpunësuar, duhet të zotërojë një leje të vlefshme qëndrimi (p.sh. për motive familjare, punëmarrjeje, por jo stinore), por edhe autorizimet e ligjit të lidhura me tipin e aktivitetit që synon të ushtrojë. Në përfundim të lejes së qëndrimit, kjo mund të konvertohet në një leje për punë si i vetëpunësuar.
Nëse shtetasi nga shtete jo anëtare zotëron një leje qëndrimi për motive studimi, për të realizuar një aktivitet të tipit të vetëpunësimit duhet që të paraqesë kërkesë për konvertim të lejes së qëndrimit pranë Sportelit Unik për Imigrimin në suazën e dekret-flukseve; vetëm nëse studenti ka mbushur prej pak kohësh moshën e rritur apo është diplomuar në Itali (edhe me kurse të reduktuara) mund të paraqesë kërkesë për konvertimin e lejes pa qenë i shtrënguar nga kuotat e dekret flukseve.
Në të gjitha rastet e tjera i duhet referuar nenit 39 të DPR 349/99, ku është vendosur procedura e posaçme që duhet ndjekur. Në rastin kur i huaji ndodhet në Itali, tashmë për arsye të tjera (p.sh. turizëm, biznes) ai mund t’i paraqesë personalisht kërkesat në zyra të ndryshme; përndryshe mund të ndjekë procedurën me një përfaqësues që pajiset me prokurë të posaçme.
Kushtet e domosdoshme për shtetasit nga shtete jo anëtare të BE-së për të mundësuar aktivitete si të vetëpunësuar janë si më poshtë:
• zotërimi i burimeve të përshtatshme për ushtrimin e aktivitetit që synohet të ushtrohet në Itali (shumë jo më e vogël sesa kapitalizimi në bazë vjetore i të ardhurave mujore të barabartë me çekun social);
• plotësimi i kërkesave të parashikuara nga ligji italian për ushtrimin e aktivitetit të veçantë (p.sh. regjistrimi në libra, regjistra, role etj.);
• pasja e një strehimi të përshtatshëm;
• zotërimi i një të ardhure vjetore që vjen nga burime të ligjshme, më e madhe sesa niveli minimal i parashikuar nga ligji për përjashtimin nga pjesëmarrja në shpenzimet sanitare.
Natyrisht, këto kushte nuk vlejnë në rastin kur shtetasi i huaj zotëron një leje qëndrimi të përshtatshme për zhvillimin e një veprimtarie si i vetëpunësuar. Në këtë rast, barazisht me shtetasit italianë, duhet të plotësojë kërkesa të posaçme për të pasur mundësi të shtrojë aktivitetin (licencë, autorizim, “IVA-n” etj.).
Sapo të verifikohet plotësimi i kushteve të parashikuara në nenin 39, i huaji apo përfaqësuesi i tij duhet t’i kërkojnë kuesturës miratimin (nulla osta-n) e hyrjes duke paraqitur dokumentacionin që provon plotësimin e kërkesave. Kuestura pasi verifikon se nuk ka motive penguese për lëshimin e tij, p.sh. një dëbim i mëparshëm apo regjistrim në Sistemin Informativ Shengen (SIS) lëshon miratimin (nulla osta-n).
Ky duhet paraqitur në përfaqësinë diplomatike dhe konsullore italiane në vendin e origjinës të shtetasit nga shtete jo anëtare të BE-së për kërkesë vize hyrjeje si i vetëpunësuar.
Me të marrë miratimin (nulla osta-n) për hyrje, shtetasi i huaj i kërkon përfaqësisë vizën e hyrjes për motive vetëpunësimi, që lëshohet nga ana e përfaqësisë në suazën e kuotave të parashikuara në dekret-flukset për punë si i vetëpunësuar.
Me ardhjen në Itali, shtetasi nga shtete jo anëtare të BE-së, brenda tetë ditësh nga ardhja e tij duhet të paraqesë kërkesë për lëshimin e lejes së parë të qëndrimit, duke përdorur procedurën postare, duke dërguar paketën e posaçme nga zyrat postare.