E Shtunë, 31 Tetor 2026

“8 Marsi” i fundit pa përfaqësim



“Vende të reja pune” do të hapen prej këtij viti për të gjitha gratë aktive në jetën politike të vendit. Ky është 8 Marsi i fundit ku gratë ndihen të papërfaqësuara në politikën shqiptare dhe 8 Marsi i parafundit, ku barazia e tyre është vetëm në letër. Në korridoret e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, ky 8 Mars është më së shumti një “festë beqarie”, si dita e fundit e të qenit i diskriminuar politikisht.

Barazia faktike

Prej vitit 2007, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Për barazinë gjinore” që përcaktonte se gratë dhe burrat do të kishin së paku 30 për qind përfaqësim në Kuvend, Këshillin e Ministrave, organet e pushtetit vendor dhe çdo njësi tjetër të ndërmjetme. Viti 2009, është hera e parë që ky ligj do të vihet në zbatim, pas përforcimit të tij në Kodin Zgjedhor. Zëvendësministrja e Punës, znj. Marjeta Zaçe, shprehet: “Është arritje që në Kuvendin e ardhshëm gratë do të jenë 30 për qind”.

Ndërkohë, ministri Anastas Duro thotë: “Është shumë pozitiv dhe për t’u përshëndetur fakti që kjo frymë e ligjit gjeti materializimin e vet edhe në Kodin Zgjedhor”.

Sipas tij, për herë të parë ky ligj vendos nëpërmjet mekanizmit të përkohshëm të kuotës arritjen e barazisë së përfaqësimit në të gjitha organet vendimmarrëse të të gjitha llojeve të pushteteve. “Hap ky shumë i rëndësishëm i garantimit të përfaqësimit të barabartë në pushtetin legjislativ, qendror dhe vendor”, – thotë z. Duro.

Gratë, 30 për qind në politikë

Femrat do të përfaqësohen të paktën në masën tridhjetë për qind në të gjitha pushtetet, e sidomos në organet e emëruara. Këtë e parashikon ligji për barazinë gjinore, që këtë vit do të ketë vërtetimin e tij të parë praktik. Në Kushtetutë përcaktohet më së qarti se asnjë lloj diskriminimi nuk duhet të vijë për shkak të përkatësisë gjinore, por kjo në realitet zor se mund të zbatohet.

Duke nisur që në Kuvend, ku shumica dërrmuese me pak përjashtime janë meshkuj, e si pasojë, sipas specialistëve në Ministrinë e Punës, ky lloj diskriminimi rrjedh në të gjitha instancat shtetërore, duke u kthyer në një nga problemet kryesore për respektimin e barazisë gjinore në vendin tonë. Për të arritur këtë barazi, ministria në fjalë ka hartuar strategjinë e re kombëtare për barazinë gjinore, e cila është materializuar në ligj, e më pas është përfshirë edhe në Kodin Zgjedhor.

Edhe të emëruarit

Ligji për barazinë gjinore, si edhe Kodi Zgjedhor, parashikon se në postet vendimmarrëse femrat dhe meshkujt duhet të kenë një përfaqësim politik të paktën 30 për qind, çka do të thotë se të emëruarit tashmë do të jenë të alternuar për sa i përket gjinisë. Kjo do të thotë se me hyrjen në fuqi të draftit, qeverisë shqiptare dhe të gjitha organeve të tjera vendimmarrëse do t`u duhet të ristrukturohen në mënyrë që të zbatojnë ligjin.

Gjithsesi, shumë herë është përfolur për barazinë gjinore dhe për masat që duhen marrë për të arritur këtë qëllim, gjë që më parë nuk ka ndodhur. Tashmë, me sa duket, do të mund të shohim edhe zbatimin e kushteve të sanksionuara në të, duke krijuar institucione të reja që do të monitorojnë arritjen e barazisë gjinore. Në këtë mënyrë, çdo ministri do të ketë në përbërjen e vet një nëpunës për barazinë gjinore, i cili do të jetë në rangun e drejtorit të drejtorisë dhe do të marrë pjesë në të gjitha konkurrimet apo emërimet që bëhen në organet që varen nga ministria për të garantuar zbatimin e kushteve të sipërpërmendura.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›