Italia kthen borxhin 20 mln euro: Të përdoret për investime
Italia ka kthyer mbrapsht 20 milionë euro borxhe që i kishte qeveria shqiptare për t’i përdorur për investime. Marrëveshja u firmos dje nga ministri i Financave, Ridvan Bodem dhe ambasadori i Republikës së Italisë, Saba D’Elia. Nëpërmjet Marrëveshjes që nënshkruhet i hapet rruga Programit të konvertimit të një pjese të borxhit që Republika e Shqipërisë ka ndaj Republikës së Italisë, është parashikuar në Protokollin e bashkëpunimit dypalësh. Ky Program do të jetë i orientuar për zhvillimin social, në veçanti për sektorin e shëndetësisë, arsimit dhe politikat e punësimit. Për këtë qëllim do të nënshkruhet Marrëveshja e propozuar për Konvertimin e Borxhit. Sipas kësaj skeme konvertimi, shërbimi i borxhit (principal + interes) deri në shumën 20 milionë euro, për disa kredi të akorduara nga qeveria italiane, nuk do t’i paguhen kësaj të fundit, por do të depozitohen në një Llogari Fondi Kundërparti (CPF). Pagesat në këtë fond do të bëhen në njëmbëdhjetë këste. Secili këst konvertohet në lekë, sipas kursit të këmbimit euro/lek të kuotuar nga Banka e Shqipërisë në datën e depozitimit të këstit. Kësti i parë që do të ketë vlerën 500 000 euro, do të depozitohet brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të marrëveshjes. Dhjetë këstet e tjera pasuese gjysmë-vjetore, secili me vlerën prej 1.95 milionë euro, do të depozitohen më çdo 31 tetor dhe 30 prill të viteve në vijim. Fondi i grumbulluar në këtë mënyre do të përdoret për realizimin e projekteve për zhvillim që do të identifikohen bashkërisht nga të dyja palët dhe që do të jenë të fokusuara në fushat e arsimit, shëndetit dhe gjenerimit punësimit. Afati i përdorimit të fondit për realizimin e projekteve të përzgjedhura është deri në dy vjet që nga momenti i depozitimit të këstit të fundit në llogarinë e fondit . Fondet e krijuara nga depozitimi i kësteve të shërbimit të borxhit për kreditë ekzistuese dhe të përdorura për projektet përkatëse do të konsiderohen si shuma borxhi të shlyera kundrejt qeverisë italiane.