Berisha: Kontrolli i cilësisë së karburanteve do të bëhet nga të huajt
Një kompani e huaj do të kontraktohet nëpërmjet procedurës koncesionare për të kontrollin e cilësisë së hidrokarbureve në vendin tonë. Vendimin e mori dje kryeministri Sali Berisha
Kontrolli dhe cilësia e karburanteve do t’u besohet të huajve. Në fakt nisma për tregun mjaft problematik është ndërmarrë nga kryeministri Sali Berisha dje gjatë mbledhjes së qeverisë. Procedura kërkon që të kontraktohet një kompani e huaj që do të merret me shënjimin e naftës që do të futet në treg. “Kjo, - tha Kryeministri - bën plotësisht të mundur detektimin e çdo lloj fluksi kontrabandist dhe jashtë cilësive në tregun shqiptar. Ky është një hap shumë i rëndësishëm që do të ketë një ndikim të madh, në radhë të parë, në shëndetin e njerëzve, sepse do mund të tregtohet vetëm nafta e standardeve të aprovuara dhe në radhë të dytë e jo më pak e rëndësishme, është shmangia e çdo lloj kontrabande.” Institucionet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e konsumatorëve do të konsolidojnë më tej të gjitha praktikat më të mira, në mënyrë që vendi të ecë para në respekt të plotë të standardeve europiane. Në fakt, me këtë nismë kryeministri Berisha është duke plotësuar një kërkesë të Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve, e cila i ka dërguar në shkurt të këtij viti një propozim qeverisë për privatizimin e kontrollit të cilësisë së karburanteve. Duke qenë se baza aktuale ligjore në kushtet e funksionimit të Inspektoriatit Qendror Teknik, si një ent i vetëm, i varur nga ministria përkatëse dhe i financuar vetëm nga biznesi privat i sektorit të hidrokarbureve, ka krijuar probleme serioze në cilësinë e produkteve të gatshme në treg. Konsumatori shqiptar prej kohësh ankohet lidhur me këtë cilësi, ndërsa asnjë prej autoriteteve nuk ka dhënë një përgjigje të prerë se cilët janë faktorët që e kanë sjellë një gjendje të tillë. Madje ky institucion shtetëror ka qenë në të gjitha vitet e ekzistencës së tij i akuzuar publikisht, por edhe ligjërisht për abuzime me detyrën. Nisur nga kjo situatë, Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve ka propozuar shpalljen e një ankandi të hapur ndërkombëtar për privatizimin e procesit të kontrollit të cilësisë së produkteve hidrokarbure që importohen apo prodhohen në vend. Ftesë të hapur ndërkombëtare për kompanitë e certifikuara europiane dhe ndërkombëtarë për të marrë me koncesion këtë shërbim të rëndësishëm dhe të domosdoshëm. Kryesia e SHSHH mendon se vetëm kjo është rruga e duhur për të pasur një konkurrencë të ndershme në treg, për barazi mes subjekteve importuese dhe prodhuese dhe për më tepër, për t’i ofruar konsumatorit shqiptar produkte cilësore dhe shërbime cilësore, si në çdo vend europian. Ministria e Ekonomisë ka nisur një fushatë kontrollesh mbi pikat e tregtimit të karburanteve. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, i janë nënshtruar kontrollit të gjitha subjektet tregtare në vend, rreth 140, përfshirë këtu importuesit dhe tregtarët me pakicë. Sipas ministrisë, kontrollit i janë nënshtruar si tregtarët e mëdhenj të karburanteve ashtu edhe pikat e tregtimit me pakicë. Objekt kontrolli kanë qenë në mënyrë të vazhdueshme dhe jo selektive të gjitha subjektet që tregojnë naftë dhe gaz. Gjatë këtyre kontrolleve për dhjetëra kompani janë hequr dhe pezulluar licencat.