Importi i makinave e vjetra, TVSH-ja 20% paguhet në doganë
Makinat e vjetra që importohen në vendin tonë nuk do t’i shpëtojnë 20 % të TVSH-së. Drejtori i tarifave në Drejtorinë e Doganave, Sajmir Lacej, sqaron se taksa bëhet zero vetëm për detyrimet e autoveturave të përdorura gjithmonë, ndërkohë që thotë se qytetarët do të paguajnë në doganë vlerën e TVSH-së. “Me këtë rast dua të korrigjoj ndonjë deklarim që është bërë në media. Taksa bëhet zero për detyrimet e autoveturave të përdorura gjithmonë. Detyrimi i TVSH –së është 20% dhe llogaritet mbi vlerën e mallit që deklarohet në doganë, në bazë të viteve të përdorimit”, - vëren Lacej. Ai tha se me këtë ligj u arrit një avancim shumë më i drejtë se më përpara, i vjetërsisë së makinës, nivelit të harxhimit të madhësisë kubike të motorit dhe detyrimeve që paguhen përkatësisht nga autoritetet fiskale shqiptare. “Që nga dita e sotme, në të gjitha degët doganore, qofshin këto kufitare apo dogana të brendshme, është e mundur që të depozitohet deklarimi dhe detyrimet e importit përfshijnë vetëm TVSH”- thekson drejtor i Tarifës në Drejtorinë e Doganave. Ai sqaroi se janë bërë të gjitha testimet e nevojshme dhe puna mund të vijojë normalisht në çdo pikë doganore. “Sot jemi marrë me testimin e sistemit që ka funksionuar normalisht dhe mund t’ju konfirmoj që çdo gjë ecën normalisht dhe të gjitha deklarimet dhe të gjithë deklaruesit mund të procedojnë në të gjitha pikat doganore”,- tha ai. Autoritetet doganore kanë përgatitur të gjithë infrastrukturën e nevojshme për zbatimin e ligjit të ri për heqjen e doganës së makinave, duke nisur nga dita e djeshme. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjymishka, ka pohuar për gazetën MAPO se janë bërë ndryshimet e nevojshme në sistem, me qëllim që ligji të nisë zbatimin pa asnjë pengesë, që dje, në të gjithë vendin dhe në të njëjtën kohë. Drejtori i Doganave tha se me informatizimin e sistemit doganor ka rënë ndjeshëm burokracia e zbatimit të ligjeve të reja në pikat doganore. Ai tha se kur ka ndryshime tarifash, ato reflektohen menjëherë në sistem, duke eliminuar kështu gabimet njerëzore që ndodhnin më parë gjatë zbatimit të ligjeve të reja. Gjymishka tha se në sistemin informatik të doganave njëherazi me tarifat e makinave po ndryshohen edhe tarifat për importin e veshjeve, të cilat nga 10 për qind që janë aktualisht, me ndryshimet ligjore bëhen zero. Ligji për heqjen e doganës së makinës që u botua 15 ditë më parë në Fletoren zyrtare, hyn sot në fuqi. Ajo që ndryshon në ligjin e ri është se, nëse tani qytetari që importonte një automjet e paguante menjëherë detyrimin në doganë, taksa e re e shtrin atë në vite. Paralelisht me doganën dhe taksën e shitjes, brenda vendit do të hiqet edhe taksa e qarkullimit dhe ajo e regjistrimit, të cilat nuk do të paguhen më çdo vit, sikurse është bërë deri më tani, por do të mblidhen në mënyrë indirekte përmes rritjes së taksave të karburantit, e cila pritet të rritet me 5 lekë për litër. Përsa i përket importimit të një makine nga jashtë, në qoftë se ende nuk e ke prerë doganën, nuk do të paguash këtë barrë fiskale, por do t’i nënshtrohesh ligjit të ri. Bëhet fjalë për periudhën kohore nga janari deri në shtator të vitit 2011. Pavarësisht se ligji i ri për taksat kombëtare dhe vendore, ku përfshihen taksat e makinave të përdorura që importohen në vend, hyn në fuqi në fund të muajit gusht, Ministria e Financave ka vendosur të falë nga fatura doganore të gjithë pronarët e automjeteve që kanë prurë në Shqipëri makina që nga janari 2011. Personat në fjalë do t’i nënshtrohen ligjit të ri të pagimit të taksave. Përsa i përket personave që kanë importuar automjetet përpara muajit janar, deri në fund të dhjetorit 2010, ata përfitojnë nga falja fiskale. Ndërsa aplikimi i taksës së re të qarkullimit do të jetë një taksë fikse për litër mbi gazoilin dhe benzinën, të importuara apo të prodhuara në vend, në masën 5 lekë për litër. Taksa e karbonit që është aktualisht mbi benzinën në masën 1,5 lekë/litri dhe gazoilin në masën 3 lek/litri, do të aplikohet edhe mbi dy kategori të reja nënproduktesh nafte, mbi vajgurin dhe lëndë djegëse (solarin dhe mazutin).