Italia mes favoriteve, edhe pa Kanavaron
Dëmtimi në kavilje i dha fund aventurës evropiane të Fabio Kanavaros. Me gjithë këtë, "bookmakers"-at nuk kanë ndryshuar kuotat e basteve për kombëtaren e drejtuar nga Roberto Donadoni, që qëndron mes favoriteve për fitimin e Euro 2008. "Mbrojtësit e tjerë të skuadrës janë lojtarë të shkëlqyer, që mund ta zëvendësojnë kapitenin pa ulur nivelin e skuadrës", shkruajnë specialistët e kompanisë "Match Point", ndërkohë që analizojnë azhurnimet e koeficienteve. "Snai" nuk i ul me asnjë pikë përqindjen e kuotimeve për Italinë dhe të njëjtën gjë bëjnë edhe "bookmakers"-at e tjerë. Dëmtimi i Kanavaros nuk sjell ndryshime në klasifikimin special për mbrojtjen më të mirë të turneut, ku "axurrët" kuotohen me 9-fishin e shumës së bastit, duke u renditur pas Gjermanisë, Portugalisë dhe Spanjës. Për triumfin në Evropian, ajo qëndron mes favoriteve kryesore, madje sipas "Snai"-t, finalja më e mundshme është Gjermani-Itali.