Italia në Alpe, nis misioni “Afrika e Jugut 2010”
ROME- Kombëtarja italiane zhvilloi seancën e parë të përgatitjeve për Kupën e Botës 2010. Nën drejtimin e trajnerit Marçelo Lipi, kampionët e botës në fuqi janë grumbulluar në rezortin alpin të Sestriere, në veri të Torinos. Lipi ka në përbërje 28 futbollistë aktualisht, por deri në 1 qershor numri i tyre do të mbesë 23. Stërvitja e Italisë është duke u zhvilluar në një zonë të lartë, në kufi me Francën, në mënyrë që futbollistët të ambientohen me temperatura të ngjashme me ato të Afrikës. Zërat e merkatos janë ato që kanë shqetësuar disi kombëtaren e të kaltërve, sidomos për Daniele De Rosin, që flitet se do të shkojë në Madrid bashkë me Murinjon. Italia është skuadra kampione e botës në fuqi dhe pavarësisht se nuk tregoi një nivel të lartë në eliminatore, ajo nuk humbi asnjë ndeshje, duke arritur vetëm tre barazime. Skuadra e Lipit është mes favoriteve për fitimin e trofeut, ndonëse këtë herë llogaritet pas Spanjës, Brazilit, Argjentinës apo Anglisë. Italia ndodhet në grupin F të Botërorit 2010, bashkë me Paraguajn, Zelandën e Re dhe Sllovakinë. Ndeshja e parë për të është ajo ndaj Paraguajt më 15 qershor në Kejp Taun.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)