E Diel, 1 Nëntor 2026

Maradona: Kjo skuadër më kujton atë të 1986

ARGJENTINE- Diego Milito, Valter Samuel dhe Martin Demikelis janë futbollistët e fundit që i janë bashkuar Argjentinës, në përgatitjet e saj për Botërorin afrikan. Tre futbollistët luajtën në finalen e Champions League, ndërsa sipas trajnerit Maradona, e gjithë kombëtarja ka një gjendje mjaft të mirë. Ai përgëzoi Militon për dy golat në finale, por nuk e quajti këtë një surprizë. “Nuk jam i surprizuar nga Milito, - tha Maradona, - Ai ka patur një sezon spektakolar, por mjaft mirë kanë luajtur edhe sulmuesit e tjerë Tevez, Mesi, Higuain apo Aguero. Militon nuk e shoh si një zëvendësues, pasi kush të jetë më në formë do të luajë”, tha Maradona. Në prag të Kupës së Botës, Argjentina ka ndoshta sulmin më të frikshëm, teksa vetëm Lionel Mesi duket se e ka vendin të sigurt. “Mesi më kujton veten në Botërorin e vitit 1986, - tha Maradona. – Ai e di mirë se çfarë duhet të bëjë, duhet të bëhet padroni i topit dhe t’i japë skuadrës atë që ka nevojë”. Duke bërë një krahasim me skuadrën e vitit 1986, tekniku i Argjentinës u shpreh se sheh ngjashmëri. “E di se nuk jemi favoritët, por ne do të bëjmë një futboll luftarak. Mendoj se është një skuadër e ngjashme me atë të 1986, sepse është e uritur për lavdi”, tha Maradona. Argjentina ndodhet në grupin B të Botërorit, bashkë me Korenë e Jugut, Greqinë dhe Nigerinë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›