Italia në recesion, krizë në Belgjikë e Hungari

Agjencia e klasifikimit, “Standart and Poor’s” zhvlerësoi ekonominë e Belgjikës. Kjo renditje nga AA+ në dy A (AA) tregon edhe njëherë se kriza e eurozonës po shtrin kufijtë e saj, ndërsa nga ana tjetër, mbeten shqetësimet për borxhin e Italisë.
Sipas “Standart and Poor’s, “aftësia e qeverisë belge për të parandaluar rritjen e borxhit, që konsiderohet tashmë në nivele të larta, vjen si pasojë tkurrjes së kredive nga sektori privat si në Belgjikë ashtu dhe mes shumë partnerëve të ngushtë tregtarë të këtij vendi”.
Vlerësimi për ekonominë e Belgjikës, vjen pas atij të “Moody’s” për Hungarinë. Ministri hungarez i Ekonomisë, Gyorgy Matolccsy, tha se vendi i tij është i gatshëm të bashkëpunojë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bashkimin Evropian dhe bankat për të stabilizuar ekonominë e vendit.
Ai shtoi gjithashtu se Hungaria nuk do të jetë në gjendje ta mbajë rritjen ekonomike në 1.5 për qind për vitin e ardhshëm.