E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta kundër dhe pro pushtetit në Egjipt

Vetëm dy ditë para fillimit të zgjedhjeve parlamentare, në Egjipt po zhvillohen protesta kundër dhe pro këshillit ushtarak.

Protestat kundër po zhvillohen në sheshin Tahrir, ndërsa pro gjashtë kilometra më larg.

Mbi Kajro fluturonte tërë pasditen një helikopter ushtarak.

Ai mbikëqyrte dy demonstratat që zhvilloheshin njëkohësisht.

Njëra zhvillohej në sheshin Tahrir, ku kohët e fundit rregullisht mblidhen kundërshtarët e këshillit ushtarak, i cili aktualisht mbanë pushtetin në këtë vend.

Ndërsa tubimi tjetër zhvillohej gjashtë kilometra më larg në pjesën e Kajros Abasija, ku ishin mbledhur mijëra mbështetës të pushtetit të tanishëm ushtarak.

Ata brohorisnin "Armata dhe populli shkojnë dorë për dorë". Atmosfera ishte shumë e tendosur.

„Këshilli ushtarak dhe armata kanë plotësuar të gjitha kushtet që kërkohen prej tyre. Ata kanë zëvendësuar ministrat, ndërsa në prill do të lirojnë edhe vendet ku janë tani dhe do të tërhiqen. Çfarë duan më shumë ata? Të gjithë egjiptasit duhet të jenë të bashkuar", deklaroi njëri nga protestuesit pro-qeveritar.

Me "ata" ai mendon lëvizjen demokratike dhe kërkesat e saj për vazhdimin e ndryshimeve në Egjipt.

Ata kërkojnë dorëheqjen e marshalit Tantavi dhe tërheqjen e tërë këshillit ushtarak, si dhe dorëzimin e pushtetit në duart e një qeverie civile.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›