Italia, në zgjedhje. Rikthimi i Kavalierit...?
Fushata elektorale në Itali përfundoi duke i hapur rrugë votimit. Zgjedhjet në Itali zhvillohen tre vjet para afatit, pasi Romano Prodi dha dorëheqjen si Kryeministër, kur koalicioni i tij qeverisës u shpërbë në janar. Biznesmeni miliarder dhe ish-kryeministri Silvio Berluskoni, 71 vjeç, kërkon një mandat të tretë si Kryeministër dhe duket se do ta marrë. Rivali i tij kryesor është 52-vjeçari Valter Veltroni, ish-kryebashkiak i Romës. Berluskoni është përpara në sondazhet e opinionit publik, por 15 për qind e zgjedhësve janë të pavendosur. Në takimin e fundit elektoral, të mbajtur në Romë, Berluskoni u kërkoi mbështetësve të tij të siguronin sa më shumë vota dhe të bindnin sa më shumë njerëz që të dilnin në votime. "Dilni dhe bëni punë misionare", tha ai para një turme prej rreth 3 mijë mbështetësish. Berluskoni është në fakt kreu i një perandorie biznesi që varion nga mediat, reklamat, sigurimet, ushqimi e ndërtimet dhe që përfshin edhe klubin e suksesshëm të futbollit AC Milan. Ai kryeson në këto zgjedhje një parti të re, Poli i Lirisë. Edhe Veltroni gjithashtu është lider i një partie të sapoformuar, Partisë Demokratike, që përfshin qendrën e majtë. Ky i fundit e krahason veten me kandidatin demokrat në presidencialet amerikane, Barak Obama, dhe ka premtuar se do të rrisë pagat dhe pensionet për të stimuluar ekonominë italiane. Në të vërtetë ka pak shanse për të zgjedhur mes politikave të të dy kandidatëve. Të dy ata premtojnë taksa më të ulëta dhe shkurtim të shpenzimeve publike. Borxhi italian është aktualisht 1,400 miliardë euro, më i madh se sa GDP-ja vjetore. Kostoja e pagesës së interesave të përvitshme të këtij borxhi është rreth 1200 euro për çdo qytetar dhe sipas të gjitha gjasave, situata do të përkeqësohet akoma më shumë. E ndërkohë, në ditën e fundit të fushatës, Silvio Berluskoni, përveçse ka kërkuar të bindë edhe më të pavendosurit, ka akuzuar edhe rivalin e tij. Nga Koloseumi i lashtë, përkrah Alessandra Musolinit, ai ka ironizuar mbi Veltronin që, sipas tij, pasi është mësuar të gënjejë gjithnjë, nuk do të ishte në gjendje të shqiptonte dy të vërteta në të njëjtën kohë, pra: Silvio dhe Berluskoni. E gjithë kjo ndodhte ndërsa nga Milano, lideri i Partisë Demokratike shpaloste kartën Kluni. Aktori i njohur i Hollivudit, Xhorxh Kluni, ka shfaqur hapur mbështetjen e tij për Valter Veltronin. Ky i fundit as nuk e ka çuar nëpër mend të shqiptojë emrin e rivalit të tij, dhe këtë nuk e bëri as në Romë, mbrëmjen e djeshme, ku edhe mbylli maratonën e fushatës elektorale. Veltroni është i bindur për një ringritje surprizë dhe tani po përqendrohet vetëm tek ekonomia, duke lënë të kuptohet se nuk shqetësohet aspak nga rivali i tij politik. Gjithsesi, sipas sondazheve më të fundit, në krye mbetet lideri i qendrës së djathtë, Silvio Berluskoni, i bindur se do të marrë edhe mandatin e tretë si Kryeministër i Italisë. Gjithsesi, në zgjedhjet italiane nuk mund të përjashtohen surprizat dhe për të mësuar më shumë duhet pritur e diela mbrëma.