Zapatero sërish Kryeministër, përballet me një mal sfidash
Lidershipi i Kryeministrit Hoze Luis Rodrigez Zapatero, u rikonfirmua dje nga Parlamenti. Ai ndeshet tani me një mandat të dytë të mbushur me sfida ekonomike dhe me shqetësime të vazhdueshme mbi separatizmin rajonal. Legjislatura e re nisi gjithsesi në një atmosferë më të paqtë politike dhe në një atmosferë më të ngrohtë se ajo e mëparshmja, duke e bërë më të lehtë për liderin socialist spanjoll angazhimin në ringritjen e ekonomisë dhe kërkimin e mbështetjes në luftën kundër grupit separatist bask, ETA. 47-vjeçari Zapatero është i pari Kryeministër spanjoll i zgjedhur në një votim popullor, që rikonfirmohet me një shumicë të thjeshtë votash, në një raund të dytë votimi, pasi kishte dështuar më herët të fitonte një shumicë absolute. Socialistët kanë shtuar numrin e vendeve në Parlament, në krahasim me legjislaturën e shkuar, por gjithsesi nuk mundën të siguronin shumicën absolute në zgjedhjet e një muaji më parë. Edhe vetë Zapatero kishte kërkuar në fakt një shumicë të thjeshtë të votave në Parlament, në mënyrë që të ruajë pavarësinë e tij nga rajonalistët baskë dhe katalanë, votat e të cilëve do të kishin bërë të mundur fitoren e tij që në raundin e parë, por që do të kishin pasur gjithsesi një çmim. Në votimin e parë, Zapatero mori 168 vota, të gjitha të socialistëve, në vend të 176 votave të nevojshme për shumicën absolute. Ndërkohë, sot, ai do të bëjë betimin para Mbretit Huan Karlos dhe më pas do të prezantojë skuadrën e tij qeveritare.