Një shkollë me emrin e Kutelit në Prishtinë
Në lagjen "Mat" të Prishtinës është përuruar dje një shkollë e re me emrin e shkrimtarit të njohur, Mitrush Kuteli. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa. "Emri që mban kjo shkollë, Mitrush Kuteli apo Dhimitër Pasko, autori i ‘Poemit Kosovar‘, ka një domethënie të veçantë", tha Presidenti Sejdiu në ceremoninë e përurimit. "Kuteli ka qenë një njeri që në shekullin e vet është angazhuar në mënyrën më të mirë të mundshme për qëndresën tonë, për praninë tonë, për vazhdimin e traditës së rezistencës të atyre që kanë qenë denbabaden në Kosovë. Prandaj, sot nuk jemi jetimë, por jemi bashkë", theksoi Presidenti Sejdiu. Në këtë shkollë, që kushtoi rreth një milion euro, do t‘i ndjekin mësimet 740 nxënës. Me këtë rast, ministri i Arsimit, Hoxhaj, paralajmëroi ndërtimin edhe të 6 shkollave të tjera brenda këtij viti në kryeqytetin e Kosovës.