E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia ngre zyrë policie në Tiranë për rajonin e Ballkanit



Italia ka vendosur që zyrën ndërlidhëse të policisë për rajonin e Ballkanit ta ngrejë në Tiranë. Këtë e bëri të ditur dje drejtori i Përgjithshëm i Policisë italiane, Antonio Manganelli, gjatë takimit me kryeministrin Berisha. Gjatë takimit kryeministri Berisha u shpreh se vizita e delegacionit italian përkonte me një ditë feste, me 96-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit shqiptar. Kryeministri theksoi se vizita e delegacionit italian në këtë ditë festive për Policinë e Shtetit tregon më së miri nivelin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis dy institucioneve për të mirën e vendit. Të dyja palët ndanë të njëjtin vlerësim se bashkëpunimi mes dy vendeve është absolutisht i shkëlqyer. Nga ana e tij, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Italisë, duke shprehur konsideratat më të larta për Policinë shqiptare, e falënderoi atë për nivelin e lartë të bashkëpunimit. Manganelli tha se vlerësonte në maksimum ndihmën që jepte Policia shqiptare asaj italiane në goditjen e kriminalitetit dhe krimit të organizuar. Ai theksoi se marrëdhëniet midis dy institucioneve të policisë nuk janë vetëm marrëdhënie pune, por edhe marrëdhënie të ndihmës reciproke dhe karakterizohen nga ndjenja miqësie. Drejtori Manganelli theksoi se ndërsa ai takohej me zyrtarë të lartë, grupi i ekspertëve që e shoqëronte atë po punonte me palën shqiptare për koordinimin e luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe mafies. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë italiane, Antonio Manganelli, njoftoi kryeministrin Berisha se pala italiane kishte marrë vendimin që zyra ndërlidhëse e Policisë italiane në Tiranë të transformohej në zyrën kryesore të të gjitha zyrave të rajonit të Ballkanit. Ai tha se Tirana dhe Bukureshti do të jenë në të ardhmen pikat e referencës për Policinë italiane në rajonin e Europës Juglindore. Po ashtu, drejtori Manganelli e njoftoi kryeministrin Berisha se pala italiane po punonte me partnerët e tjerë europianë për ngritjen e një grupi pune me oficerët e kontaktit të këtyre vendeve në Shqipëri, duke theksuar se bashkëpunimi midis dy policive tona duhet të kthehet në model referimi për vendet e tjera. Nga ana e tij, kryeministri shprehu kënaqësinë dhe falënderoi mikun italian që vendi i tij kishte zgjedhur Shqipërinë si pikën kryesore nga ku do të drejtonte aktivitetin e saj.

14 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›