Kambanat e makinës së Meros
Nga Fatos Çoçoli
Pa dyshim që ky vit nisi me një lajm të zi për gazetarinë shqiptare dhe në tërësi për mbarë opinionin publik të vendit. Makina e një gazetari të njohur (Mero Baze) u dogj e tëra. Pavarësisht nga mundësia e një zjarri të rastësishëm, pothuajse të gjithë shqiptarët besojnë se kjo djegie përbën një paralajmërim të qartë për vetë gazetarin: të mbyllë gojën. Odiseja e vështirësive të gazetës së tij “Tema” për të mbajtur ambientet-zyra që ka aktualisht është një tjetër shenjë se shteti po merret me Meron. Viti që shkoi po ashtu ka qenë paralajmërues për dhunën e shtetit ose të grupeve të nxitura nga shteti mbi median. Gjatë vitit 2008 një tjetër makinë e kryeredaktorit të gazetës së partisë kryesore në opozitë u dogj, po ashtu një gazetar në gazetën “Albania” u rrah barbarisht në dhjetor të këtij viti përpara dyerve të redaksisë. Vitet 2001-2005 nuk sollën asnjë rast dhunimi fizik apo paralajmërimi ogurzi ndaj gazetarëve, sikurse ky dyvjeçar që po kalojmë. Gjë që do të thotë se brenda shtetit shqiptar dhe strukturave të qeverisë në fuqi ka sot segmente që përkrahin dhunën ndaj medias. Kuptohet, ndaj asaj gazetarie që u shkon ndesh interesave të ngushta e gati partiake të qeverisë së sotme. Kjo gjendje përbën një rrezik real për lirinë e fjalës në Shqipëri. Gazetarët, me gjithë mangësitë e tyre profesionale, me gjithë presionin e madh të punëdhënësve të tyre sipërmarrës për të deformuar të vërtetën, janë bartësit më kurajozë të saj dhe denoncuesit e punëve korruptive të çdo qeverie. Kur dhunohen dhe frikësohen ata, është sikur të përpiqesh t’i mbyllësh gojën shoqërisë shqiptare. Kjo pse ajo po pulson sot në kushtet e një lëvizjeje civile të frymëzuar (për fat të keq) vetëm nga paratë e donatorëve të huaj. Shoqëria jonë ndodhet në kushtet kur intelektualët e mirëfilltë, forca e plotë e progresit janë strukur në bankat universitare apo të shkollave të mesme, ndodhen si profesionistë (arkitektë, inxhinierë, kimistë etj.) në mëshirën e tekave të pasanikëve të rinj që zotërojnë firma ndërtimi, prodhimi, supermarkete etj., dhe ndjehen krejtësisht të papërfillur apo të paaftë për të ndryshuar gjë në kaosin tonë nëpërmjet dijeve të tyre. Ndodhet në kushtet e dhunës së skajshme në familje dhe humbjes së fortë të vlerave njerëzore dhe të jetës në komunitet, për shkak të konflikteve të pronësisë dhe të pasurimit të shpejtë të një shtrese me pak përparësi në kërkesa apo moral shoqëror. Ndodhet në një qorrsokak, ende në një tunel të gjatë tranzicioni me pak (ose aspak) dritë në fund të tij. Dhe pikërisht në këto kushte të trullosjes dhe gati humbjes së drejtpeshimit, shoqërisë sonë i vjen kanosja e mbylljes së gojës nëpërmjet dhunimit të gazetarëve të saj më kurajozë. Mirëpo mbyllja e gojës së shoqërisë është paradhoma e diktaturës. E një diktature shumë më të kamufluar se ajo komuniste, por që prapë se prapë diktaturë mbetet. E një arradhe pasanikësh të rinj, të fryrë nga fitimi i tenderave publikë të trukuar, të krekosur e gati dehur në forcën e tyre virtuale prej buzëqeshjeve apo rrahjeve të krahëve nga disa ministra të qeverisë së sotme. Kjo minishtresë ndien se ka kapur qiellin me dorë dhe njerëzit (përfshirë dhe gazetarët) i duken miza. Qeveria duhet të distancohet prej pasanikëve-hunveibinë blu. Ndryshe asnjë ekspertizë tekniku automjetesh vendas apo të huaj nuk do ta shpëtojë nga damka e shtypëses (qoftë edhe nëpërmjet heshtjes apo mosveprimit të saj) së medias së lirë. Në mbrojtje të lirisë së fjalës doli Shoqata e Gazetarëve, duke dënuar aktin e dhunshëm. Por nuk pamë dalje në sheshe publike, edhe pse djegia e makinës së gazetarit është kaq ogurzezë dhe na kërcënon të gjithëve. Ne i kapim sheshet kollaj për interesat e partive kryesore politike. Por atentatin ndaj diçkaje më të vyer sesa pushteti politik, ndaj lirisë së të shprehurit, po e shohin, për fat të keq, shumë pak prej nesh. Dhe akoma më pak po arrijnë të kuptojnë rrezikun që i kanoset shoqërisë sonë me këto akte dhune. Pse t’i djegësh makinën një gazetari që zhbiron për të vërtetën është si t’i kesh djegur shtëpinë një prokurori që lufton mafien apo korrupsionin e zyrtarëve të lartë shtetërorë. Makina e djegur e gazetarit Mero Baze po i bie fort disa kambanave që ia vlen t’i dëgjojmë të gjithë. E nëse frikën mbarëpopullore që polli aksidenti tepër i dyshimtë i dëshmitarit Trebicka e shoi një akt-ekspertizë i një tekniku amerikan makinash, zezojën për mbylljen e gojës denoncuese tek të gjithë gazetarët që kërkon të përhapë djegia e makinës së Meros, cila ekspertizë do ta davarisë?
14 Janar 2009