E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia, partneri i parë ekonomik i Shqipërisë

08-05-2012 / Leonard Quku

Kryeministri Berisha ka nisur dje një vizitë zyrtare, në qendër të të cilit është aleanca strategjike mes dy vendeve. Ai ka marrë mbështetjen e kryeministrit italian Mario Monti për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, i cili s’është dëmtuar nga kriza globale, por edhe për inkurajimin e vendimit për marrjen e statusit kandidat për në BE


Mario Monti: Mbështetja për integrimin e Shqipërisë, njësoj si me heqjen e vizave “Italia do të vijojë të jetë në mbështetje të proceseve integruese të Shqipërisë, ndërsa realizimi i reformave e përshpejton këtë proces”. Kjo ishte kryefjala e takimit të djeshëm në Romë të kryeministrit Sali Berisha dhe atij italian, Mario Monti. Kreu i qeverisë italiane, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij, Berisha vlerësoi reformat e qeverisë shqiptare dhe u shpreh i sigurt për të ardhmen evropiane të vendit. Monti shprehu mbështetjen e Romës Zyrtare në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Europian ndërsa kryeministri Berisha nga ana e tij tha se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për realizimin e reformave të integrimit, sikurse janë 12 rekomandimet për statusin e vendit kandidat. Për kryeministrin Berisha, Shqipëria do të ecë drejt BE-së, në bazë të meritës. Investimet italiane në Shqipëri dhe bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve ishin një tjetër çështje e diskutuar mes dy kryeministrave. Berisha tha se Shqipëria inkurajon investimet italiane, sidomos në projekte të mëdha energjetike. Ndërkaq, në fjalën e tij, kryeministri Monti uroi Berishën për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Në takimin e kryeministrit Berisha me homologun e tij Monti, merrnin pjesë edhe Ministri shqiptar i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Aldo Bumçi, ambasadori Italian në Tiranë, z. Massimo Gaiani, si dhe ambasadori shqiptar në Itali, z. Llesh Kola. Monti: Shqipëria, partner i besueshëm ekonomik i Italisë Bashkëpunimi ekonomik si dhe ndihma në proceset integruese të vendit tonë në BE ishin dy nga çështjet më të rëndësishme të trajtuara në konferencën e përbashkët për shtyp mes kryeministrit Sali Berisha dhe homologut të tij italian, Mario Monti. Kryeministri Monti evidentoi pikërisht kooperacionin italianin për vëmendjen që i ka kushtuar Shqipërisë gjatë viteve. “Gjatë këtij takimi bëmë bilancin e marrëdhënieve dypalëshe dhe duhet të them se jemi shumë të kënaqur për këtë. Edhe në vitin 2011, Italia është konfirmuar si partneri i parë ekonomik i Shqipërisë, eksportet italiane drejt Shqipërisë kanë arritur në 1145 milion euro, me një rritje prej 18% krahasuar me vitin 2010, dhe importet italiane nga Shqipëria kanë shënuar 657 milion euro, 14 % më shumë krahasuar me vitin e mëparshëm. Megjithë nevojën e vazhdueshme të Italisë për të kufizuar shpenzimet publike, veprimtaria e bashkëpunimit italian për zhvillimin, në Shqipëri, vazhdon të jetë e konsiderueshme. Në dhjetëvjeçarin e fundit, qeveria italiane ka dhënë një kontribut total në ndihmë të Bashkëpunimit për zhvillim, përmes dhurimit dhe kredive prej 247 milion euro, i cili në 2010 është rritur me një kontribut të mëtejshëm prej 51 milionësh eurosh”- u shpreh Monti. Integrimi Kryeministri Mario Monti garantoi mbështetjen e integrimit të Shqipërisë në BE. Duke shprehur entuziazmin e Italisë për reformat e qeverisë shqiptare, Monti kujtoi rrugën e vështirë të Shqipërisë në vitet ’90-të, kohë kur ai ishte Komisioner Evropian dhe takimin me Presidentin Berisha në Bruksel. “Përsa i përket rrugës së Shqipërisë drejt afrimit në BE, ishte pikërisht kjo rrugë që na ofroi presidentit Berisha dhe mua që isha Komisioner europian, rastin e parë për tu takuar në Bruksel, në vitin 1996, gjatë një vizite të Presidentit Berisha. Ndër të tjera, gjatë takimit i shpreha kryeministrit Berisha vlerësimin tonë për të gjitha përpjekjet e bëra nga Shqipëria për të përmbushur paketën e reformave të nevojshme për të ecur drejt afrimit me BE. Vullneti i shprehur politik dhe një impenjim i vazhdueshëm nga ana e qeverisë dhe opozitës, janë të domosdoshme për të lejuar Shqipërinë të bëjë progresin e mëtejshëm të kërkuar nga ana e BE. Theksoj se përsa na përket, do të vazhdojmë të japim mbështetjen tonë të fortë në favor të perspektivës evropiane të Shqipërisë” - u shpreh Mario Monti. Kryeministri italian shprehu vlerësimin e tij për komunitetin shqiptar në Itali (500 mijë persona), i cili sipas tij është njëra nga bashkësitë më të integruarat në shoqërinë italiane. “Edhe për këtë motiv, pra për praninë e komunitetit shqiptar në Itali, Italia ka mbështetur fort procesin e liberalizimit të vizave mes Shqipërisë dhe BE” - tha ai. Mbështetja italiane për Shqipërinë në 100 vjetorin e Pavarësisë, theksoi Monti, vjen si rrjedhojë e lidhjeve të ngushta miqësore dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme mes dy vendeve fqinje. “Jam shumë i kënaqur që prita sot në Romë kryeministrin e Shqipërisë, zotin Sali Berisha. Ky është viti i 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, prandaj i dashur Kryeministër shumë urime nga ana e Italisë për vendin tuaj, i cili ndodhet kaq pranë nesh dhe me të cilin kemi lidhje shumë të ngushta miqësore dhe bashkëpunimi, si dhe ju falënderoj edhe për vizitën që keni bërë sot këtu” - vlerësoi më tej, kryeministri italian, Mario Monti.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›