Kosova merr lajmin e mirë për udhërrëfyesin e vizave, rikonfirmon se kufijtë e saj janë të paprekshëm
Deri në fund të pranverës së këtij viti pritet që Brukseli të sjellë lajme të mira për Kosovën sa i përket udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, ka thënë se dorëzimin e udhërrëfyesit tek institucionet e Kosovës në pranverë të vitit 2012 e ka paralajmëruar gjatë vizitës së saj në Kosovë, komisarja evropiane për Punë të Brendshme, Cecilia Malmstrom. Me tone optimiste për këtë çështje ka folur edhe ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku. Sipas saj, janë dhënë shumë premtime për këtë çështje, megjithatë, pritet që udhërrëfyesi të dorëzohet shumë shpejt në Kosovë nga BE-ja. Këto komente janë bërë në konferencën për mobilitetit artistik nga perspektiva filozofike dhe artistike, ku është diskutuar për pengesat ligjore dhe praktike, me të cilat ballafaqohet sektori kulturor në Kosovë sa i përket shkëmbimit të artit kosovar me atë botëror.
Lajmi - Hoxhaj: Kufijtë në Ballkan janë të paprekshëm/Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në një artikull të saj për Kosovën ka shkruar për situatën politike dhe ekonomike në Kosovë. Duke iu referuar situatës së sigurisë në tri komunat e veriut të Kosovës, gazeta shkruan se derisa bashkëjetesa në pjesën më të madhe të Kosovës funksionin, ngec edhe më tutje në veri. Serbia mbështet strukturat paralele shtetërore të policisë, derisa barrikadat tregojnë mbetjet e luftës nga viti 1999. Si rrjedhojë Beogradi edhe më tutje nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur në vitin 2008. Duke folur për veriun, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se kufijtë në Ballkan tashmë janë vendosur dhe ata janë të paprekshëm. “Kufijtë në Ballkan janë vendosur”, ka thënë Hoxhaj. Gazeta gjermane shkruan se si kosovarët, sidomos të rinjtë janë lënë të vetmuar nga Evropa. Të gjitha shtetet e Ballkanit, përveç Kosovës gëzon lëvizjen e lirë në zonën Shengen. Me këtë rast, ministri Hoxhaj i ka thënë gazetës gjermane se Kosova tashmë ka bërë përparime të dukshme dhe është në pritje të një udhërrëfyesi. “Kosova gjithmonë ka qenë një shtet evropian. Prandaj Evropa është caku ynë kryesor”, ka theksuar Hoxhaj.