E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia përshëndet kthimin mbrapsht të emigrantëve

Romë - Italia përshëndeti sot dëbimin e 227 emigrantëve të kapur në det dhe kthimin e tyre në Libi përpara se të preknin tokën italiane. Ministria e Brendshme e cilëson si historik këtë kthim, pasi më parë nuk kishte ndodhur që emigrantët e kapur në det të ktheheshin mbrapsht pa iu nënshtruar ekzaminimeve në Itali.

“Për herë të parë në histori, ne ishim në gjendje të kthenim mbrapsht emigrantët e paligjshëm për në Libi. Deri tani, kemi qenë të detyruar t'i mbanim, t'i identifikonim e pastaj t'i kthenim mbrapsht në vendet e tyre të origjinës. Për herë të parë Libia ra dakord të pranonte qytetarë joevropianë që nuk janë libianë por që ishin nisur nga brigjet e saj”, deklaroi ministri i Brendshëm, Roberto Maroni.

Ndërkohë, organizata "Mjekët pa kufij" në Itali e dënon këtë veprim duke e quajtur një riatdhesim të detyruar.

"Për ne, fakti që 227 vetë riatdhesohen me detyrim në Libi nuk është një ngjarje ‘historike’. Sipas pikëpamjes sonë është një ngjarje që duhet dënuar me forcë", deklaron Loris De Filipi, kreu i kësaj organizate.

Dëbimet u bënë të mundura nga një forcim i lidhjeve mes Romës dhe Tripolit, që më parë gjatë këtij viti nënshkruan një marrëveshje kompensimi për krimet e kryera në Libi gjatë periudhës së kolonizimit nga Italia.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›