Italia shpall gjendjen e emergjences per furnizimin me gaz

Italia ka shpallur gjendjen e emergjencës përsa i takon furnizimit me gaz. Sipas procedurave të përcaktuara nga BE, Komiteti i Monitorimit në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik ka parashikuar vënien në funksion të centraleve elektrike me naftë që do të mundësojnë të mbajnë konsumin me gaz me përdorim termoelektrik. Vendimi është marrë në kuadër të zgjatjes së kushteve të ftohta meteorologjike për të gjithë javën si dhe nga rënia e furnizimit me gaz nga Rusia. Komiteti i krizës, i mbledhur në Ministrinë e Zhvillimit, ka siguruar familjet itliane se do të kenë furnizim të plotë të lëndës ngrohëse, ndërkohë që është parashikuar një reduktim i furnizimit për ndërmarrjet. Me këto masa të marra, kreu i kompanisë energjitike, Eni, ka thënë se do të jenë të disponueshme edhe 25 milionë metër kub gaz në ditë, apo 8-9% të konsumit. Me këtë volum situata pritet të qetësohet gjatë fundjavës. Ndërkohë Rusia ka ulur sërish volumin e gazit drejt Italisë me 18,5 milionë metër kub gaz më pak. Nga ana tjetër kryeministri i Ukrahinës ka siguruar se vendi është gati të dërgojë më shumë gaz në Europë. Ndërkohë edhe Europa po merr masat, pavarësisht se nuk ka shpallur gjendje emergjence në furnizimin me gaz. Komisioni Europian është në kontakt të ngushtë me autoritetet italiane mbi situatën e krijuar nga mungesa e lëndës ngrohëse dhe është i gatshëm të japë ndihmën në se do t’i kërkohet.