Italia si më 2006

Ish selektori i Italisë, Marcelo Lippi, ka këshilluar pasardhësin e tij Cesare Prandelli para fillimit të Euro 2012 të premten. Përgatitjet e Azzurrëve për Kampionatin botëror 2006 në Gjermani ishin goditur nga skandali Calciopoli si rezultat i të cilit Juventusi u përjashtua në Serie B.
Kësaj radhe Italia është duke u marrë me një skandal të kurdisjes së ndeshjeve pak ditë para fillimit të Evropianit 2012 në Poloni dhe Ukrainë. “Më kujton ato ditët e 2006-ës”, tha Lippi, fitues i Botërorit 2006, për TG1.
“Mendoj se pasi ekipi të mbërrijë në Poloni, do të mendojë vetëm për futboll, stërvitje dhe Evropian. E këshilloj Prandellin dhe futbollistët e tij të qëndrojnë të qetë dhe të mendojnë vetëm për Euro 2012. Më kujtohet java para garës më 2006, që nuk ishte aspak e lehtë”, shtoi ai.
Prandelli më herët gjatë javës kishte thënë se është i gatshëm të tërheqë ekipin nga gara nëse kjo do t’u ndihmonte hetimeve. “Ishte një frazë në formë të provokimit”, përfundoi Lippi.