E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia vendos: Taksë për emigrantët. Por nuk dihet sa

Konfirmohet vendosja e taksës për pajisjen me leje qëndrimi për emigrantët, por shuma përfundimtare e kontributit që duhet derdhur do të vendoset nga Ministria e Brendshme dhe ajo e Ekonomisë. Lajmin e ka konfirmuar ministri i Brendshëm, anëtar i Partisë së Legës së Veriut, Roberto Maroni, në fund të një takimi me ministrin e Drejtësisë, Angelino Alfano, ku tema qendrore ka qenë amendamenti i ligjit të sigurisë. Taksa e emigrantëve nuk është pranuar nga qeveria. Kundër propozimit ka qenë edhe Presidenti Fini. Berluskoni është shprehur se "gjithmonë kam qenë kundër. Ndërsa Lega e Veriut kërkon 50 euro për një leje qëndrimi. Amendamenti i Legës së Veriut për disa ndryshime në ligjin mbi sigurinë diskutohet në Senat në versionin e parë të propozimit, i cili parashikonte pagesën prej 200 eurosh për pajisjen me leje qëndrimi dhe pagesën prej 50 eurosh në rastin e rinovimit të saj. Lega këmbëngul. Pavarësisht mosaprovimit të qeverisë, ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, konfirmon dhe mbështet idenë e taksës mbi lejet e qëndrimit. Por shuma prej 200 eurove për pajisjen me leje qëndrimi, apo rinovimin e saj do të mbetet në "sirtar". Në fakt, vendimi përfundimtar, se sa do të caktohet vlera e shifrës, do të jepet me një dekret të ministrit të Ekonomisë.

"Amendamenti, shpjegon Maroni, do të qëndrojë si ide, por në vend të 200 eurove për lëshimin, apo rinovimin e lejes së qëndrimit, parashikohet një tjetër kontribut, i cili do të vendoset me një dekret të Ministrisë së Brendshme dhe dikasterit të ekonomisë italiane.

Por thelbi i propozimit është konfirmuar, ashtu siç ishte parashikuar dhe votuar. Dhe duke mbetur në temën e sigurisë, ndalimi i flukseve të emigrantëve, i parashikuar nga propozimi i Legës së Veriut, do të jetë tema e ditës. Substancë e këtij propozimi, shpjegon Maroni, i rekomandohet qeverisë të bëjë një verifikim mbi kërkesën për hyrjen e emigrantëve të rinj.

Ndërkohë që mbetet për t‘u diskutuar ndëshkimi mbi emigracionin klandestin, për të cilin një nga propozimet ka qenë dëbimi, largimi dhe mospranimi në Itali për një kohë të gjatë, dhënë nga kuestura. Mbi propozimin e taksës për emigrantët erdhën kritika të mëdha nga mazhoranca. Në mënyrë të veçantë, mbi këtë amendament morën pozicion kundërshtues si Presidenti Gianfranco Fini, ashtu edhe Kryeministri Silvio Berluskoni.

Fini deklaroi se: "Këto norma janë diskriminuese", ndërsa Berluskoni: "Gjithmonë kam qenë kundër". Kurse Lega e Veriut tashmë kthehet e karikuar. Megjithatë mbetet për të parë se çfarë do të diskutohet më pas.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›