E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia vështirëson marrjen e shtetësisë dhe ribashkimet familjare



Shtetësia, dyfishohen afatet, shtohen kriteret

Më shumë dokumente për ribashkimet familjare

Italia ka vështirësuar shtetësinë italiane dhe ribashkimin familjar me anë të një akti ligjor të miratuar nga Dhoma e Deputetëve. Durim Hatibi, specialist në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, bën të ditur se kriteret e reja janë më të ashpra për marrjen e shtetësisë dhe për bashkimin familjar, në një përpjekje të qeverisë italiane për të ndaluar vërshimin e emigrantëve drejt vendit fqinj.

Shtetësia

“Marrja e shtetësisë italiane, përmes martesës, mund të bëhet pas dy viteve qëndrimi në territorin e shtetit italian (pas martesës) ose pas tri vitesh, në rastin, kur bashkëshorti/ja gjendet jashtë. Kur çifti ka fëmijë, kërkohet gjysma e kohës. Dispozitat e mëparshme parashikonin një afat 6-mujor. Po kështu do të ishte e domosdoshme pagesa e një takse 200-euroshe”, – bën të ditur Ministria e Punës. Në të njëjtën kohë është kryer edhe një shtrëngim i mëtejshëm i martesave, me anë të një ndryshimi në Kodin Civil, ku parashikohet paraqitja e lejes së qëndrimit përpara martesës.

“Kështu, nuk do të ketë më martesa mes një të parregullti dhe një të parregullti tjetër, kjo sigurisht nuk do të sillte asnjë lloj rregullim statusi”, – thotë z. Durim Hatibi.

Ndërkaq edhe regjistrimi apo ndryshimi i banimit vështirësohet. Kështu nevojitet një certifikatë e përshtatshmërisë higjieno-sanitar për banesën. “Duhet thënë se shumë banesa, përfshirë edhe ato që mund të gjenden përkundrejt shumave të mëdha në tregun privat të banesave nuk mund t’i qëndrojnë këtij kriteri. Kjo dispozitë mund të cenojë të drejtat e migrantëve, vetë shtetasve italianë dhe atyre komunitarë, duke sjellë reaksione zinxhir në kërkesat për mundësinë e strehimit në azile, e marrjes së kredive etj., etj.”, – thotë z. Hatibi.

Ribashkimet familjare

Një tjetër pikë ku vështirësohen procedurat ka të bëjë me ribashkimet familjare. “Sa u takon ribashkimeve familjare, në dokumentet e domosdoshme shtohet certifikata e përshtatshmërisë higjieno-sanitare (në të shkuarën, si alternativë parashikohej edhe certifikata e lëshuar nga komuna apo ASL-ja vendore), që të dyja lëshuar nga zyrat kompetente komunale”, – bën të ditur Ministria e Punës.

Por, edhe vizat e bashkimit familjar nuk do të merren dhe aq lehtë. Kjo, pasi tani nuk do të jetë e mundur të kërkohet viza e hyrjes, nëse miratimi (nulla osta) i saj nuk do të lëshohet, pas 180 ditësh nga përfundimi i praktikës. Kështu, davaritet edhe një mundësi e garancisë së të drejtës së ribashkimit familjar për shkak të vonesave burokratike.

“Futet detyrimi për paraqitjen e lejes së qëndrimit për të gjitha aktet e gjendjes civile. Kjo do të thotë se e drejta e njohjes së një fëmije do t’i nënshtrohet filtrit të kërkesës së një lejeje qëndrimi. Përjashtim do të ketë, veç atij të asistencës sanitare për regjistrimin e të miturve në shkolla”, – thotë z. Hatibi.

Ky ligj është kundërshtuar ashpër nga forcat opozitare në Itali, të cilat e kanë cilësuar si një akt “fashist” dhe të papranueshëm për një vend që duhet të respektojë të drejtat e njeriut. Ligji është hartuar nga qeveria e Silvio Berluscon-it dhe është një përpjekje për të dëbuar të gjithë emigrantët ilegalë nga Italia. Ai hyn në fuqi kur të miratohet edhe nga Senati, si edhe të siglohet nga Presidenti i Republikës Italiane.

Ndryshimet e ligjit

- futet shkelja e “hyrjes dhe qëndrimit të paligjshëm në territorin e shtetit”. Kjo shkelje nuk dënohet me burgim, por me një gjobë administrative, që luhatet nga 5.000 deri në 10.000 euro, si dhe dëbim;

- zgjatja nga dy në gjashtë muaj, si koha maksimale e qëndrimit në Qendrat e Dëbimit. Zgjatjet duhet të autorizohen nga gjykata, kur shtetasi i huaj nuk bashkëpunon, apo nuk arrijnë dokumentet e domosdoshme për dëbim nga shteti i origjinës;

- konfirmimi i tri viteve burg dhe konfiskimi i mundshëm i banesës për ato që i ofrojnë strehim me pagesë imigrantëve të parregullt “për të nxjerrë përfitime të padrejta”, por vetëm kur këta imigrantë të parregullt nuk kanë leje qëndrimi në momentin e lidhjes apo ripërtëritjes së kontratës së qiramarrjes;

- detyrimi që shtetasit e huaj, që dëshirojnë të lidhin martesë në Itali, të paraqesin lejen e qëndrimit, çka do të thoshte që klandestinët nuk mund të lidhin martesa të ligjshme në Itali;

-rritja e afatit të domosdoshëm për ato që kërkojnë t’u jepet shtetësia italiane nga gjashtë muaj në dy vjet (tre për rezidentët jashtë Italisë), afat pas së cilit ajo/ ai, që ka lidhur martesë me një shtetas/e italian/e mund të kërkojë shtetësinë italiane. Këto afate përgjysmohen përkatësisht, nëse ka fëmijë, që u lindën apo u adoptuan nga çifti;

- parashikimi i një kontributi 200 eurosh, lidhur me kërkesat për dhënie shtetësie; gjysma e këtij kontributi do të shërbejë për të financuar “Bashkëpunimin”, ndërsa gjysma tjetër do të shkojë në të mirë të Departamentit të Imigrimit në Ministrinë e Brendshme italiane;

- parakushti i verifikimit nga ana e komunës për përshtatshmërinë e banesës ku banojnë, për regjistrimin e shtetasve të huaj në zyrën e gjendjes civile;

- detyrimi që sportelet e “money transfer - transferimit të parave” të fotokopjojnë lejen e qëndrimit të klientëve të tyre dhe i sinjalizimit tek policia për ato që nuk mbajnë leje qëndrimi. Personat që nuk kryejnë një veprim të tillë rrezikojnë anulimin e licencës për ushtrim aktiviteti;

- parashikimi i paraqitjes së lejes së qëndrimit për qasjen ndaj shërbimeve publike dhe për akte të gjendjes civile, me përjashtim të shërbimeve sanitare apo regjistrimit në shkollat e arsimit të detyrueshëm;

- detyrimi që shtetasit e huaj të nënshkruajnë “një marrëveshje integrimi” me pikëzim, që do të rritet apo ulet, në varësi të qëndrim-sjelljes së tyre. Ai/ajo që mbush pragun e pikëzimit negativ, do të humbasë lejen e tij/saj dhe do të dëbohet;

- futja e kontributit së bashku me kërkesën për lëshimin e lejes së qëndrimit apo ripërtëritjen e saj, shumë që luhatet në kufijtë minimalë dhe maksimalë 80-200 euro;

- parashikimi i kalimit me sukses të një testimi lidhur me njohjen e gjuhës italiane për ato që kërkojnë leje qëndrimi CE të Rezidentit Afatgjatë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›