E Enjte, 5 Nëntor 2026

Italia vuan për një golashënues

Italia dhe Spanja nuk kanë marrë rezultatet e pritura nga ndeshjet e zhvilluara të enjten, të vlefshme për kualifikimin në fazën e grupeve të Botërorit katar 2022.  Kampionët e Evropës në fuqi, futbollistët e Italisë nuk kanë mundur të japin më të mirën e tyre në fushë, kundër Bullgarisë. Një barazim 1-1 ka lënë një shije të hidhur te të gjithë. Kombëtarja e Mançinit dominon në nivelin e lojës, e iu jep vetëm një mundësi kundërshtarëve, që rezulton vendimtare, por mungesa e një bomberi është mëse e dukshme se kurrë te Italia.

E të mendosh që është e vështirë të ndryshosh një sistem që dha 35 ndeshje radhazi pa humbur. Por ndaj Zvicrës duhet fitorja për të rinisur ose të paktën barazimi, në mënyrë që të mos rrezikohet kalimi i grupit. Por vetë trajneri Mancini nuk e quan një dramë barazimin me Bullgarinë. “Na mungoi vetëm saktësia në zonën-gol – ka thënë trajneri italian. – Ishte një ndeshje ku topi nuk donte të hynte në rrjetë. Ndaj Zvicrës duhet të marrim rezultat pozitiv. Do të luajmë për fitore”.

Një paraqitje jo të mirë ka bërë Spanja në këto kualifikuese. Kombëtarja e Luis Enrique mundet 2-1 duke ndërlikuar situatën në grupin B, me 2 pikë më pak se skuadra e Andersson, që ka edhe një ndeshje më shumë për të luajtur. Kur dihet që vetëm skuadra e parë e grupit kualifikohet direkt për në finalet e katar 2022. 

Spanjollët luajnë mirë por nuk janë të qetë para porte duke gabuar pafund. Tashmë skuadrës së Luis Enrique i duhet të fitojë me patjetër ndaj Gjeorgjisë dhe Kosovës.  E mbi të gjitha ndaj Suedisë në nëntor. “Ne humbëm shumë dyluftime dhe ata arritën të depërtojnë më shumë në zonën tonë” – ka thënë enrique. – Kjo më shqetëson. Përsa i përket kalimit të grupit, kjo do të varet vetëm nga ne”. Por mediat nuk falin. Luis Enrique është vënë sërish në bankën e akuzuarve. Reagimi i tij dhe i skuadrës do duket në ndeshjet e ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›