Italia:Mes emigrantëve mund të ketë terroristë

Italia është e shqetësuar se midis më shumë se 5 mijë emigrantëve që kanë zbarkuar në brigjet e saj në ditët e fundit, mund të ndodhen edhe eksponentë të Al-Qaeda.
Sipas një raporti të CNN, publikuar gjatë mbrëmjes në rrjetin amerikan, ekziston një frikë se organizatat terroriste mund të përfitojnë nga mungesa e stabilitetit në vendet e Afrikës së Veriut.
”I kam këruar shërbimeve sekrete dhe atyre policore që të tregohen shumë të kujdessme në identifikimin e të gjithë emigrantëve, pasi Al-Qaeda mund të shfrytëzojë këtë shpërthim në vendet e magrebit”, deklaroi Ministri i Brendshëm i Italisë, Roberto Maroni.
Azilkërkuesit kanë lundruar për në ishullin e vogël italian të Lampeduzës, nga disa porte të ndryshme tuniziane. Shumica e tyre kanë paguar deri në 2 500 euro për këtë udhëtim.
Fakti që transporti është organizuar nga rrjete të caktuara mafioze, rrit mundësinë që të ekzistojë një lidhje me terrorizmin.
Pamundësia e Tunizisë dhe mungesa e stabilitetit në vendet fqinje, ka bërë të pamundur ruajtjen efektive të ujrave dhe kufijve shtetëror.
Duke u favorizuar nga situata, më shumë se 10 mijë emigrantë të jashtëligjshëm kanë mbërritur deri tani në Itali gjatë vitit 2011, më shumë nga sa zbarkuan gjatë të gjithë vitit 2010.