Kosovë, mediat:Ja disa nga ministrat e rinj

Ndërsa kanë mbetur edhe tre ditë deri në mbajtjen e seancës së parë të Kuvendit të ri të Kosovës, zyrtarisht ende nuk është nënshkruar marrëveshja e koalicionit ndërmjet PDK-së dhe partive të tjera.
Sipas mediave kosovare në vazhdën e diskutimeve të fundit, po përzgjidhen edhe emrat e mundshëm që do të udhëheqin postet ministrore në qeverinë e re.
Sipas mediave kosovare Hajredin Kuçi nuk do të jetë më Zv. kryeministër i Kosovës, por ministër i Drejtësisë. Vendin e tij mund ta zërë, ministri aktual i Arsimit, Enver Hoxhaj. Fatmir Limaj duket se nuk do të udhëheq më transportet dhe as që do të jetë në qeverinë e re Ministri i Transporteve do të jetë Memli Krasniqi, zëdhënësi aktual i qeverisë së Kosovës ndërsa Vlora Çitaku do të jetë ministrja e Integrimit Europian. Po sipas mediave kosovare Mimoza Kusari Lila do të jetë në Ministrinë e Jashtme ndërsa Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme. Këshilltari i Thaçit, Bekim Çollaku do të jetë në Ministrinë e Arsimit ndërsa serbët do të marrin Ministrinë e Pushtetit Lokal.
Sipas mediave kosovare ndërkohë kryeministri i ardhshëm i Kosovës Hashim Thaçi tashmë ka zhvilluar disa takime me ministrat e rinj të mundshëm.