Italiane e quajtën kavajasen, gruan më të vjetër në Europë
Në fillim të këtij muaji, mediat italiane zbuluan një tjetër kampione jetëgjatësie, Feride Hykën, të lindur në Luz të Kavajës, që tani jeton në rajonin e Umbrias. Gruaja që feston më 7 gusht përvjetorin e 114 u hapi telashe autoriteteve italiane, pasi sistemi kompjuterik nuk mund të prodhonte leje qëndrimi për persona të lindur përpara vitit 1900. Ferideja kishte lindur më 7 gusht 1896. Mediat italiane e quajtën gruan më të vjetër të Europës dhe buja që bëri ky lajm i siguroi gruas 113 vjeçe një shërbim ekstra për të siguruar lejen e qëndrimit.
Por “suksesi” i Feridesë nuk mund të shkojë më larg, sepse në Durrës jeton një grua edhe më e moshuar. Sipas certifikatës së lindjes, Tane Koleci është 28 ditë më e madhe se Feride Hyka. Ajo do ta festojë ditëlindjen e 114 më 10 korrik 2010, ndërsa Ferideja më 7 gusht 2010.
#