Hetimi i pasurive bllokon 3 milionë euro
Policia krijon Zyrën e Hetimit të Pasurive të vendosura nga veprimtaria kriminale. Një staf prej 20 vetash ka nisur punën prej pak kohësh në të gjithë vendin në këtë zyrë, të cilësuar për Hetimin e Aseteve Kriminale, ndërkohë që qendrën e ka në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, deklaron se shumë shpejt do të dalin edhe frytet e para nga kjo zyrë, pasi terreni është përgatitur që në vitin 2007, me anë të specialistëve të antikrimit ekonomik.
PasuritëSipas të dhënave nga numri dy i Policisë së Shtetit, Kuliçaj, krijimi i kësaj zyre ka ardhur pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri “Antimafie”, i cili u miratua në fund të vitit që lamë pas dhe hyri në fuqi më 24 janar 2010. Në këto kushte, drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit i është ofruar struktura e kësaj zyre dhe menjëherë i është kaluar ministrit për miratim. Pas miratimit të strukturës së zyrës për hetimin e pasurive të vendosura nga veprimtari kriminale është përzgjedhur edhe stafi i kryesuar nga oficeri i lartë Lutfi Minxhozi. Sipas të dhënave, deri më sot, Zyra e Hetimit të Pasurive ka bllokuar rreth 3 milionë euro, që i përkasin llogarive bankare, apo pasurive të tjera të paluajtshme, që dyshohet se janë vendosur nga veprimtari kriminale. Sipas të dhënave, kjo vlerë është bllokuar gjatë një periudhe prej dy vjetësh, që kur kanë nisur hapat e parë për krijimin e zyrës së posaçme. Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit deklaroi para pak ditësh se struktura po krijohet në të gjitha drejtoritë e qarqeve të vendit. Nga 26 janari i këtij viti, një urdhër i ministrit të Brendshëm, miratoi projektin e Bashkimit Europian, që dhe policia shqiptare të kishte strukturën e saj për Hetimin e Aseteve Kriminale. Kjo strukturë është ndër të parat në Ballkan, pasi edhe në shtete të zhvilluara të Bashkimit Europian, si Finlanda, Belgjika, Austria etj., kjo strukturë është ngritur pas vitit 2007.
ZyraSipas burimeve policore, zyra është krijuar me qëllim për vënien në zbatim të ligjit të ri “Antimafie” për hetimin e pasurive të personave që dyshohen për shtatë vepra të rënda penale, që kanë të bëjnë me organizatat kriminale, trafikun e drogës, qenieve njerëzore dhe krimet që lidhen me terrorizmin. Krijimi i një strukture më vete, e cila ka për objekt të punës së saj vënien në zbatim të ligjit “Antimafie”, sipas policisë është bërë me qëllim për rritjen e bashkëpunimit me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në identifikimin e pasurive të vëna nga krimi dhe referimin e këtyre rasteve në organin e akuzës për ndjekje penale. Sipas burimeve policore, zyra në fjalë ka nisur tashmë punën në bashkëpunim me prokurorinë dhe një nga hapat e parë të ndërmarrë ka qenë krijimi i infrastrukturës së nevojshme për ndërlidhje me organet e tatimeve, Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, hipotekat, bankat dhe një sërë institucionesh të tjera që qarkullojnë të dhëna mbi bizneset. Qëllimi i zyrës, sipas burimeve të policisë, është krijimi i një databaze të plotë mbi bizneset në Shqipëri, në mënyrë që për çdo rast të dyshuar, të disponohen informacionet mbi burimet e financimit dhe objektin e veprimtarisë për subjektet që hetohen. Ndërkaq, burimet policore shpjeguan se puna ka nisur më parë, pavarësisht se qendra u krijua kohët e fundit. Sipas të dhënave, që prej vitit 2007, specialistë të antikrimit ekonomik janë trajnuar për hetime të tilla dhe kanë kryer disa raste flagrante, duke bërë edhe bllokim asetesh, por pasi ishte shpallur vendimi i gjykatës. Tashmë, këto hetime kryhen më lirshëm, duke i dhënë hapësira të mëdha policisë për goditjen e krimit të organizuar, në mënyrë që të bllokojë pasuritë e tyre.
#