Përtej të vjetrës dhe të resë
Gentian Elezi
Fushata zgjedhore tashmë ka filluar. Bashkë me strategjitë përkatëse, palët po shpalosin edhe mangësitë e tyre. Një shprehje e qartë e këtyre mangësive është edhe mungesa e një strategjie dhe vizioni për të ardhmen e administratës publike. Qëndrimi ndaj ndërtimit të institucioneve dhe krijimit të një administrate moderne dhe të pavarur ka qenë edhe një nga karakteristikat e përbashkëta të forcave politike që kanë qeverisur Shqipërinë gjatë 18 viteve të fundit. Vetë termi “reformë institucionale” tanimë është veshur me petkun e një koncepti që ka humbur kuptimin, një retorikë ose në rastin më të mirë nënkupton një ristrukturim të institucioneve me qëllim rikonfigurimin e personelit sipas interesave partiakë të momentit. Gjithçka është kthyer në një rreth vicioz, ku rotacioni politik nënkupton automatikisht edhe ndryshim të thellë të administratës. Pasiguria në mbajtjen e vendit të punës për shkak të varësisë së drejtpërdrejtë politike e bëjnë performancën e administratës shumë të luhatshme, sidomos në prag të zgjedhjeve. Pavarësisht kahut politik të qeverisë, vazhdojmë të shikojmë punonjës që detyrohen të marrin pjesë në ngjarjet e organizuara në kuadër të fushatës, të punojnë jashtë orarit pa marrë shpërblimet që u takojnë, për t’u pezulluar në fund nga detyra pas ndërrimit të pushtetit. Këto lloj praktikash kanë ndikuar ndjeshëm në performancën e institucioneve publike duke diskredituar, deri dhe delegjitimuar imazhin që një administratë shtetërore duhet të gëzojë. Në këtë mënyrë, vazhdon të mbartet e përbrendësuar në perceptimin publik sindroma e ndarjes “ne” dhe “ata”, karakteristikë kjo e regjimeve komuniste. Institucionet ishin një pjesë e huaj (ata) dhe jo përbërëse e shoqërisë (ne), me të cilët ishte e pamundur që individët të identifikoheshin. Në një vend demokratik administrata është e shtetit dhe për rrjedhojë e të gjithë qytetarëve, pasi paguhet me taksat e tyre, pavarësisht bindjeve partiake. Në raste boshllëqesh të tilla në performancën dhe konsolidimin e një tradite institucionale, është relative të flasësh edhe për politika të majta apo të djathta. Për të zbatuar platforma ideologjike komplekse të çfarëdo lloji nevojiten në radhë të parë kapacitetet institucionale për t’i mundësuar dhe vënë në jetë ato. Sa herë që në Shqipëri synohet një qasje ideologjike e caktuar mbi një problem, shikojmë që shpesh zgjidhja mbetet e cunguar pasi nuk është konsideruar tërësia e habitatit strukturor si dhe nuk është llogaritur mirë nevoja institucionale për të realizuar objektivin. Për këtë arsye, të debatosh mbi të majtën apo të djathtën në Shqipërinë e sotme, është njëlloj si të grindesh me miqtë në makinë për kthesën që duhet të marrësh te kryqëzimi pasardhës, kur timoni nuk i përgjigjet korrektësisht udhëzimit të drejtuesit të mjetit. Pikërisht këtu, duke filluar me ndreqjen e timonit, edhe një herë lind nevoja e pragmatizmit dhe e një reforme afatgjatë në institucionet shqiptare. Kjo reformë nevojitet përtej palëve politike, të majta apo të djathta, ideologjike apo pragmatiste, të vjetra apo të reja. Kjo reformë mbetet thelbësore për mirëfunksionimin afatgjatë të shtetit shqiptar dhe duhet të përmbajë patjetër elementin e konsistencës nga njëri rotacion politik tek tjetri. Konsolidimi i një administrate funksionale dhe të pavarur mbetet edhe element thelbësor për përmbushjen e angazhimeve që Shqipëria ka marrë me partnerë ndërkombëtarë. Fillimisht i duhet rikthyer nëpunësit civil prestigji i merituar. Është e vërtetë që statusi i nëpunësit civil përcaktohet qartë në legjislacion, ashtu si shumë histori të ngjashme shqiptare ku përshkrimet në letër nuk reflektojnë realitetin. Por edhe në letër ka shumë boshllëqe dhe aspekte që mund të ndihmojnë në këtë drejtim. Mendoj se dy janë faktorët kryesorë: i pari, reformimi i sistemit të lëvizjeve, vlerësimit dhe incentivave brenda administratës, dhe i dyti, ndryshimi strukturor i kompetencave të Komisionit të Shërbimit Civil. Nuk është nevoja për revolucione apo për të kopjuar praktikat më të mira të huaja, siç do ishte sistemi i shërbimit civil anglez ose praktika të tjera europiane. Këto zgjidhje do ishin problematike në terma afatgjatë dhe nuk do përshtateshin dot me realitetin. Qëllimi kryesor është ndreqja e çatisë aty ku pikon, pasi transformimi radikal thjesht do vazhdonte riprodhimin e vetvetes brenda atij rrethi vicioz që përmendëm më sipër. Thënë ndryshe, t’i rikthesh nëpunësit civil prestigjin e merituar do të thotë që ky status të bëhet tërheqës për burimet njerëzore më të specializuara që ka vendi. Duhet që ky status të ofrojë perspektivë. Kjo mund të arrihet duke reformuar sistemin e lëvizjeve dhe incentivave, por edhe duke i dhënë siguri këtij statusi, duke rishikuar kompetencat e Komisionit që duhet të mbrojë efektivisht administratën, duke garantuar edhe pavarësinë politike të saj. Natyrisht që një pjesë e administratës në nivele drejtuese duhet të jetë politike pasi është e nevojshme për të zbatuar vizionin politik të forcës qeverisëse. Megjithatë ky fakt nuk përjashton domosdoshmërinë që pjesa më e madhe e administratës të jetë e konsoliduar, e pavarur dhe e rregulluar nga brenda, duke mos lejuar ndërhyrje të njëanshme nga faktorët politikë. Madje shpesh duhet të jetë vetë administrata që ruan dhe mbron mbarëvajtjen e institucioneve, edhe kur ato cenohen nga politikanë të paaftë. Ashtu siç thoshte Schumpeter mbi 60 vite më parë, një administratë efiçente dhe e konsoliduar është përgjigja më e mirë ndaj politikanëve diletantë e të paaftë. Shpresat që një reformë e tillë të vijë nga një mandat i dytë i qeverisjes aktuale janë shumë të pakta. Pavarësisht fasadave në formën e rritjes sporadike të rrogave apo të programeve jo strukturorë si Brain Gain, në thelb kjo qeverisje reflektoi traditën negative 18-vjeçare të trajtimit të çështjes së administratës publike. Nga ana e saj, opozita përveç denoncimit të vazhdueshëm të problemeve të administratës dhe rekrutimeve politike e pa kriter, nuk ka bërë publike një strategji afatgjatë për këtë çështje. Kjo temë duket si një tabu me të cilën asnjë nuk dëshiron të merret apo të përballet. Kjo ndodh kryesisht sepse, përveç vullnetit dhe vizionit afatgjatë që kërkon, reforma mund të ketë kosto politike në periudhën afatshkurtër. Pikërisht prej vështirësisë dhe rëndësisë që ajo mbart, mund të konsiderohet si një thirrje përtej të vjetrës dhe të resë, një thirrje jo për politikanët e radhës, por për udhëheqësit e munguar shqiptarë.