E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet në PD zhvillohen pas betejës së 28 qershorit

 

BLEDAR HOTI

Zgjedhjet në strukturat drejtuese të Partisë Demokratike do të zhvillohen pas 28 qershorit. Frika për përçarje në PD-në e Tiranës për shkak të rivalitetit të madh për këtë post ka detyruar kryedemokratin të marrë vendimin ekstrem për të pezulluar procesin e përzgjedhjes. Vendimi për pezullimin e konkurrimit për PD-në e Tiranës, u bë prezent nga vetë Berisha në mbledhjen e mbrëmshme të kryesisë. Të mbledhur ndryshe nga herët të tjera, në selinë e Kryeministrisë, anëtarët e Kryesisë janë njohur me propozimin surprizë të liderit të tyre, Berisha. Kur një pjesë e madhe e degëve të PD-së kanë zgjedhur krerët, vendimi vjen pikërisht në momentin kur pritej t’i jepej fund çështjes se kush do të ishte kreu i PD-së së Tiranës. Në garën e PD-së së metropolit shqiptar ishin shpallur Besnik Mustafaj, Aldo Bumçi, Gjergj Bojaxhiu dhe Lajla Përnaska. Nisur nga rivaliteti dhe numri i madh i pretendentëve për të këtë post, kryesia ka vendosur të sheshojë përplasjet e mundshme pikërisht afro dy muaj përpara shkuarjes në votimet e përgjithshme. Vendimi surprizë synon evitimin e mëtejshëm të përplasjeve për kreun e kësaj dege, duke lënë që të gjitha bateritë PD-ja t’i përdorë për fushatën elektorale. Gjithashtu, kjo pritet të sheshojë dhe polemikat e shfaqura kohët e fundit mes kandidatëve për kreun e degës së PD-së. Kryesia e PD-së ka vendosur që kongresi të zhvillohet më 23 maj, duke e cilësuar si elektoral dhe jo zgjedhor. Burimet theksojnë se fillimisht ishte vendosur që Kongresi të zhvillohet në datat 20-28 maj, duke lënë si opsion datën 23 maj, si afatin më të afërm për hapjen e fushatës elektorale. Kryeministri do të drejtojë programin e PD si dhe do të kryesojë hartimin dhe diskutimin e tij. Kuvendi i PD-së (Kongresi) do të miratojë programin elektoral, i cili do të përfshijë si reformat e mëdha në fushat e Shëndetësisë, Arsimit, Bujqësisë, Ekonomisë, Punësimit, ashtu dhe projektet e mëdha kombëtare, akset e mëdha rrugore si dhe infrastrukturën rurale në mbarë vendin. Ndërsa sekretari Organizativ, Ridvan Bode do të merret me anën organizative të Kuvendit. Kjo është hera e dytë që merret një vendim për shtyrjen e zgjedhjeve brenda PD-së. Në vitin 1996 është përcaktuar e njëjta skemë, ku kongresi zgjedhor për zgjedhjet u la pas 26 majit. Ndërsa mësohet se është vendosur që personat që do të dalin në debatet publike në televizione do të përcaktohen nga ana e kryetarit të PD-së, Sali Berisha.

Vendimet

    Kongresi i PD do të mbahet me 23 maj
    Kongresi do të jetë elektoral dhe jo zgjedhor
    Votimet për strukturat e PD deri në majën e piramidës do të kryhen pas zgjedhjeve të 28 qershorit
    Shtyhet dhe zgjedhje për kreun e     PD-së së Tiranës

Në godinën e PD gati vetëm salla e Erlës
Prej muajsh PD-ja ka nisur rikonstruksionin e godinës së saj, për t'i dhënë një imazh të ri. Edhe pse një pjesë e mirë e punimeve janë kryer në godinën e PD-së, duket se salla e mbledhjeve e Kryesisë nuk ka përfunduar ende. Aktualisht, në selinë e PD-së funksionon vetëm salla e konferencave të shtypit. Dje zëdhënësja Erla Mëhilli dha konferencën e parë nga kjo zyrë e re. Nisur nga kjo mungesë ambienti, Berisha ka shfrytëzuar një nga zyrat e tij të Qeverisë për të zhvilluar mbledhjen e kryesisë së PD-së. Pas dhënies së konferencës për shtyp të Berishës për vizitën e tij në Francë, të gjithë anëtarët kanë ngjitur shkallët e Kryeministrisë për t'u njohur me propozimet e kryetarit të PD-së për zgjedhjet në parti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›