Ruli fushatë në Jug: Ndryshimet në 4 vjet
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli zhvilloi takime me banorë të Gjirokastrës dhe Tepelenës. Në këto takime Ruli prezantoi filozofinë e PD-së atë të ballafaqimit të arritjeve të qeverisë me qytetarët. “Ne dëshirojmë që sot, tek i afrohemi fundit të mandatit, të ballafaqohemi me qytetarët për t’u thënë se ku jemi në raport me premtimet, që kemi bërë kur e morëm këtë mandat. Unë jam krenar se në fundin e tij jo vetëm kemi bërë shumë më tepër sesa në mandatin paraardhës të socialistëve, por them me plot gojën se kemi arritur, në vetëm 4 vjet, shumë më tepër krahasuar me të 8 vitet e qeverisjes së socialistëve”, tha Ruli. Duke folur për mënyrën se si është qeverisur vendi në këto katër vjet, ministri i Ekonomisë tha se rezultatet janë të dukshme dhe të prekshme nga të gjithë. Duke folur më tej për mënyrën e menaxhimit të së ardhurave nga qeveria aktuale, Ruli ka thënë se “këto para kanë qenë në Shqipëri, por taksat nuk shkonin në arkat e shtetit, por në xhepat e klaneve të biznesit, që kishin bërë marrëveshje me politikën si dhe politikanëve më shumë të interesuar në qeverisjen e bizneseve të tyre sesa në qeverisjen e shtetit”, tha Ruli. Duke prekur çështjet e infrastrukturës në këto takime, Ruli tha se kjo qeveri po përfundon të gjitha akset kryesore rrugore të vendit. Qarku Gjirokastër e sheh konkretisht këtë jo vetëm për shkak të rrugës Gjirokastër-Tepelenë që sapo përfundoi, por dhe rrugës që sapo nisi e që do të lidhë Tepelenën me Levanin dhe autostradën që të çon në Tiranë. Me mbylljen e këtyre akseve dhe rrugëve, qarku ynë nuk do jetë më qarku i largët i jugut, por do jetë ai që do të lidhë për 1 orë Gjirokastrën me Tiranën dhe ku do kalojnë gjithë flukset tregtare, sidomos marrëdhëniet me Turqinë, Greqinë dhe tregjet fqinje”, tha Ruli. Duke folur për modelin qeverisës të Edi Ramës, ministri demokrat, tha se ai drejton Bashkinë e Tiranës mbi baza klienteliste. “Në realitet, ne nuk kemi nevojë për të pritur dhe eksperimentuar me një mandat të Ramës për të parë se cila është politika e re. Këtë e kemi të lehtë ta kuptojmë nëse shohim mënyrën si ka qeverisur Tiranën dhe bizneset e Tiranës. Nuk ka politikë më klienteliste në dhënien e lejeve të ndërtimit, në ndarjen e tenderëve, se sa ajo që kulmohet në Bashkinë e Tiranës. Dhe nëse nesër ky njeri merr në duar frenat e qeverisë, atëherë e gjithë ekonomia e këtij vendi do të jetë në duar të një klani të ngushtë, i cili sot sundon Tiranën, por që nuk do ta sundojë dhe për shumë kohë, e jo më t’i shkojë në mendje që të sundojnë Shqipërinë”, tha Ruli.