E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italianët hyjnë në Orik

Zona nënujore e lagunës së Parkut Kombëtar Arkeologjik të Orikut, (Vlorë), ku fshihet një pjesë e qytetit të lashtë, do të jetë në qendër të një ekspedite të përbashkët italo-shqiptare, që pritet të nisë në muajin gusht, në kuadër të projektit ‘Liburna", ose arkeologjia shqiptare e nënujit, një projekt kombëtar, i përfshirë në marrëveshjet 2007-2010 me qeverinë italiane.

Drejtori i parqeve arkeologjike Amantia-Orik, Gëzim Llojdia, tha për ATSH-në, se projekti ka si objektiv studimin e bregdetit shqiptar dhe ndërtimin e hartës arkeologjike të tij. Pjesë e punës së projektit është edhe një kërkim i realizuar para pak javësh në zonën nënujore të Porto Palermos, ku u zbuluan objekte qeramike të shekullit IV dhe u realizua zonifikimi i plotë i kësaj pjese të bregdetit.

Sipas Llojdisë, një nga fazat më interesante të projektit, është eksplorimi i sitit arkeologjik të Orikut, 25 km larg Vlorës, ku puna do të përqëndrohet në zonën nënujore të lagunës ose siç emërtohet ndryshe, liqeni i Valltos, ku gjenden disa prej veprave monumentale të qytetit antik.

"Gërmadhat e qytetit antik të Orikut (Pashalimani i sotëm), gjenden ne pjesën me jugore të gjirit të Vlorës dhe 42 km në jug të Apollonisë, në një skelë të futur brenda bregut mbi kodrën që mban emrin Paleokaster, e larte 20 m mbi nivelin e detit", sqaron drejtori Llojdia.

Sipas tij, duke njohur faktin historik se në shek.I p.e.s. Oriku shërbeu si kryeurë e fuqive pushtuese të kohës, arenë luftërash midis Romës, Maqedonisë dhe Ilirisë, si dhe në luftën rivale midis Çezarit e Pompeut që i solli Orikut shumë shkatërrime, pikërisht kërkimet nënujore do të shtrihen në këtë zonë, ku ushtria e Pompeut u zu në befasi. Në këtë pjesë të liqenit gjendet akropoli, që daton në shek IV, tregu i qytetit, etj.

Gjatë punës paraprake që bënë pjesëtarët e ekspeditës, e cila do të shtrihet në terren në ditët e para të muajit gusht, u eksplorua porti i brendshem (portus introitus), i përmendur prej Çezarit, i cili është lokalizuar në lagunën 2.2 km të gjatë dhe 1.2 km të gjerë. Ai ka formën e një trekëndëshi me bazë të drejtuar nga deti. Sipas Llojdisë, në ekstremin perëndimor, bankina përshkohet prej një kanali, i cili e lidhte lagunën me detin.

Aktualisht, në brendësi të lagunës, nën pasqyrën e ujit, spikasin qartë gjurmët e një muri, me gjerësi 1.80 metra, i cili lidh dy brigjet e saj dhe që, është bankina me gjatësi rreth 200 metra, që shërbente për ankorimin e anijeve.

Në kapërcyellin e erës sonë, krahas Apollonisë, Oriku dëshmohet si baza kryesore detare e Çezarit në Shqipërinë e Jugut. Përmendja e tij si qytet me mure mbrojtës, i pajisur me garnizon, tregon vazhdimësinë e jetës si qendër e fortifikuar edhe nga fundi i periudhës republikane.

Nga ana tjetër, ndërtimi i teatrit në shek. I-rë të erës sonë, dëshmon se Oriku edhe gjatë kohës perandorake, jetoi një periudhë lulëzimi. Forcën e tij jetësore e dëshmon dhe veprimtaria ndërtuese e Herod Atikut, pas tërmetit të shek. II-të. Porti i qytetit, siç e përmend Çezari, ka qenë nga ana e lagunës, ku dallohen dhe muret nën nivelin e detit. "Kjo dëshmon se gjatë shekujve ka ndodhur ulja e ngadalshme e bregut nën ujë, si edhe mbushja me aluvione e portit", sqaron drejtori i parqeve arkeologjike të Amantia-Orik.

Sipas tij, aktualisht, kanali është bllokuar, duke e lënë liqenin të izoluar dhe vetëm me një furnizues uji, që aktualisht është një dajlan peshku. Për këtë arsye, objekt i punës së ekspeditës së përbashkët italo-shqiptare, që do të nisë nga puna në datën 29 korrik, do të jetë dajlani e, më pas liqeni, i cili ka një grykë furnizimi, i mbuluar pjesërisht nga aluvionet dhe rëra.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›