E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italianët marrin në dorë qendrën e Durrësit

Projekti italian "Folding", i studios romane "Michele Cro", fitoi në fundjavë konkursin ndërkombëtar për rivitalizimin e qendrës së qytetit bregdetar të Durrësit. Ky projekt parashikon më shumë gjelbërim në anën lindore, një vendpushim i ndarë nga rruga e makinave, në pjesën perëndimore një shëtitore, si dhe krijon një raport të përsosur të sheshit me xhaminë, duke e ngritur nivelin e sheshit rreth e rrotull xhamisë dhe nën këtë pjesë të ngritur do të kryhen funksione të përditshme qytetare. Ndërkaq në pjesën midis bashkisë dhe Pallatit të Kulturës, ky projekt parashikon ndërtimin e një parku çlodhës me pemë të shumëllojshme, stola, ndriçim modern, si dhe disa sipërfaqe ujore të shkallëzuara. Projekti krijon edhe lehtësira për trafikun, pasi e kufizon atë pjesërisht në pjesën përpara xhamisë. Nga kontrata e zbatimit të projektit, studio fituese përfiton 200 mijë euro.

Vendimi është marrë pas shumë diskutimesh nga anëtarët e jurisë, për projektet e paraqitura nga pesë studiot finaliste. Në argumentimin e bërë nga juria ndërkombëtare u tha se projekti italian "Folding" mund t‘i përshtatet më mirë qendrës dhe zbaton plotësisht pikat e kërkuara në ruajtjen e trashëgimisë historike, si dhe jep disa zgjidhje urbane. Juria vlerësoi cilësinë e lartë urbane të projektit dhe krijimin e raporteve të mira mes ndërtesave ekzistuese, traditës dhe modernes. Arkitekti Michele Cro u shpreh se projekti i studios së tij është ndërtuar në bazë të një thjeshtësie dhe funksionaliteti që duhet të ketë ky shesh për Durrësin, duke ruajtur traditën dhe ndërtesat aktuale të këtij sheshi, por njëkohësisht duke dhënë edhe një vizion modern të një qyteti evropian. Të pesta projektet në garë qenë ekspozuar në hollin e pallatit të kulturës "Aleksandër Moisiu", bashkë me maketet përkatëse, ndërsa është shfaqur gjatë ditëve të shqyrtimit edhe dokumentari "Sheshi Iliria ndër vite". Luca Zevi, anëtar i jurisë, deklaroi se ishte e vështirë vendimmarrja, për shkak të cilësisë së lartë të projekteve të paraqitura. Megjithatë, ai tha se projekti fitues do t‘i shërbejë shumë një vizioni të ri për qendrën e një qyteti evropian si Durrësi. Ndërkaq nga votat e pjesëmarrësve në aktivitet u dha dhe çmimi special i publikut për projektin britanik "Sundials" pas numërimit të votave të hedhura nga qytetarët në një kuti të posaçme. Ndonëse fitoi simpatinë e publikut, projekti britanik nuk mori vlerësimin maksimal nga juria, e cila shpalli fituese studion nga Roma. "Sheshi ‘Liria‘ është zemra e përhershme e qytetit; përfaqësuese dhe simbol, vendi publik kryesor i jetës kolektive dhe përbën një rast të jashtëzakonshëm për të konsoliduar një proces të nisur dhe i destinuar për t‘i dhënë forcë dhe cilësi një organizmi të tërë urban dhe metropolitan", - tha kryebashkiaku Vangjush Dako. Rivitalizimi synon krijimin e një qendre të re tërheqëse për qytetin dhe transformimin e tij nga një shesh kaotik në një "living-room shesh". Aty ballafaqohen gjurmët e së kaluarës me zhvillimet e së tashmes, të një shoqërie në kaos e në zhvillim, që ka ndikuar dhe me ndërtimet e pavend që i kanë marrë frymën qendrës administrative të qytetit-port. Në lidhje me rivitalizimin e këtij sheshi, administrata e bashkisë ka parashikuar një vlerë të përafërt prej 5 milionë eurosh, e cila do të investohet në sistemimin arkitektonik dhe hapësirave të blerta. Ruajtja e trashëgimisë kulturore të lashtë, duke i dhënë gjallëri qendrës së ardhshme të qytetit antik, përbën një nga synimet kryesore të organizatorëve të këtij konkursi ndërkombëtar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›