E Shtunë, 31 Tetor 2026

Joanna, ish-stjuardesa në krye të Islandës

Kriza ekonomike i ka dhuruar politikës globale revolucionin e dytë historik në pak muaj: pas zgjedhjes së Presidentit të parë afro-amerikan në krye të Shtëpisë së Bardhë, botës i është shtuar edhe Kryeministrja e parë homoseksuale, Johana Sigurdardotir, së cilës i është besuar detyra për ta nxjerrë Islandën nga kriza ekonomike. Islanda ka lajmëruar për formimin e një qeverie të re, e cila do të udhëhiqet nga ish-ministrja e Punëve Sociale, Johana Sigurdardotir. Kryeministrja 66-vjeçare është anëtare e Partisë Aleanca Social Demokrate dhe zgjedhja e saj shihet si një hap i rëndësishëm për lëvizjen e homoseksualëve.

Natyrisht që besnikëria, si zakonisht, ecën më shpejt se fantazia e Hollivudit. Ndërkohë që Sean Penn përgatitet për të marrë çmimin "Oskar" me filmin "Milk", biografia e politikanit të parë të deklaruar homoseksual në SHBA, Reikjaviku i ka varur të gjitha shpresat te një grua (është hera e parë në historinë e ishullit), e cila ka dy fëmijë mbi të 30-at, është e martuar prej vitesh me një bankier, por prej pesç vjetësh (siç tregon edhe sajti zyrtar i qeverisë) është martuar civilisht me gazetaren dhe shkrimtaren 54-vjeçare, Jonina Leosdottir.

Jonaha e shenjtë - siç e quajnë në ishull - nuk do të ketë detyrë të thjeshtë. Islanda është kombi i vetëm në botë (të paktën aktualisht) që ka falimentuar për shkak të krizës së ushqyer nga borxhet e këqija. Në fillim të tetorit 2008, Kryeministri konservator, Geir Harde, u detyrua të shtetëzonte tre bankat e para kombëtare të përfshira nga borxhet e jashtme prej 126 miliardë (dhjetëfishi i PKB-së kombëtare) dhe të ndërpriste ndërrimin e monedhës vendase, korona. Por vetëm një hua emergjente prej 10 miliardë eurosh dhënë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar e shpëtoi vendin nga thellimi i mëtejshëm i krizës.

Islandezët, pas shumë vitesh zhvillim, janë detyruar të paguajnë taksa më të larta: çmimi i ushqimeve të zakonshme është rritur me 73 për qind në pak muaj, papunësia e ka kaluar 10 për qindëshin, taksat e interesit arrijnë te 18 për qindëshi dhe PPB-ja, sipas statistikave, në 2008-ën është ulur me 9,6 për qind. Këto shifra kanë shkaktuar pakënaqësi te njerëzit, të cilët prej disa javësh janë ngritur në protestë.

Zgjedhja e Johanas, si Kryeministre e re, ishte pothuajse natyrale. Ish-sindikalistja që ka kaluar rreth 30 vjet në politikë, ka qenë liderja e vetme dhe shumë e zonja që nuk e ka zhgënjyer kurrë popullin. Gjatë viteve të zhvillimit financiar, që ndryshuan pamjen e ishullit, duke e shndërruar nga një vend paqësor peshkatarësh, në një popull me 300 mijë aspirantë, ajo ishte ndër të paktët që ka qëndruar me këmbë në tokë, duke vazhduar të shqetësohej për temat sociale dhe ekonominë e vërtetë. Johana ka drejtuar tri herë "Althing", Parlamentin më të vjetër në botë, gjithashtu ka qenë ministrja e Punëve Sociale dhe si gjithmonë protagonistja kryesore e betejave civile në mbrojtjen e më të dobëtëve.

Në një komunikatë për media, koalicioni qeveritar bëri të ditur se qeveria e re do të nisë menjëherë nga puna për të luftuar krizën ekonomike në vend. Prioritetet e qeverisë do të jenë zëvendësimi i bordit të guvernatorëve të Bankës Qendrore të vendit, si dhe shqyrtimi i kujdesshëm i mundësisë për t‘u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Zgjedhjet e kreut të qeverisë, në një vend si Islanda, ku homoseksualiteti nuk paragjykohet, nuk janë temë e debatit publik. Kryeministrja e re u zgjodh nga koalicioni politik në vend, ndërsa qeveria e mëparshme u rrëzua si pasojë e krizës ekonomike. Vetë islandezët janë shprehur se orientimi seksual i kreut të qeverisë nuk ka asnjë rëndësi, derisa ajo të kryejë detyrën me përgjegjësi. Johana e ka mbajtur gjithmonë të ndarë punën nga jeta private dhe nuk ka folur kurrë as në publik e as nëpër intervista për homoseksualitetin e saj. "Shumë njerëz nuk e dinë nëse ajo është apo jo e martuar dhe kjo as që na intereson", janë shprehur dje disa islandezë për një gazetë lokale. "E rëndësishme është që të kemi një Kryeministre që të tregojë në këta muaj të vështirë se i ka kuptuar problemet tona". Sigurdadotir do të fillojë menjëherë punë për të zgjedhur qeverinë e re. "Koha ime do vijë", kishte thënë 15 vite më parë, kur humbi në zgjedhjet social-demokrate. Sot koha e saj erdhi dhe nuk është vetëm një revolucion politik për ishullin, por për të gjithë botën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›