E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nje mjek pret pergjigje

Imagjinoni një mjek, diku tek të tridhjetat, i cili, i ulur përballë teje, në një tryezë kafeneje të rëndomtë, të pyet: Hë, ç‘emër i vë ti kësaj? Dhe ti, qëndron përballë tij, i mendueshëm jo për t‘i dhënë një përgjigje asaj që mjeku sapo ta ka treguar, por sepse nis dhe e paragjykon atë që ke përballë. "Po ky, nga ka zbritur kështu që më çan kokën?!", thua me vete. Atij nuk ia thua dot, sepse nuk dëshiron ta rëndosh. Mjafton ajo pamje gjynahqari.

E me pak fjalë, kjo historia e mjekut është sa tragjike, po aq edhe komike. Ai nuk merr para nga pacientët. Këtë nuk e thotë vetëm ai. E pohojnë dhe kolegët e tij. Por ata e thonë ndryshe: "Nuk merr para, se është i ndershëm, por sepse është i paaftë". Dhe hajde merre vesh, shfryn gjynahqari, ku mbaron ndershmëria, morali a ku di unë se çfarë, dhe ku fillon paaftësia apo zhvatja e njerëzve.

Pra, imagjinoni një doktor që rrezikon të humbasë punën, sepse nuk merr para nga pacientët dhe pikërisht për këtë, e quajnë të paaftë. Imagjinoni këdo tjetër që ka fatin e keq të këtij "mjeku të paaftë" dhe, i sigurt jam, që do t‘ia fusni një ulërime për të shfryrë inatin me këtë "botë të qelbur". Por sapo të keni numëruar deri në 100, ashtu siç na këshillojnë të moçmit, përsëri jam i sigurt se do pendohemi për çfarë menduat ndoca çaste më parë. Sepse, në fund të fundit, ne po e qelbim botën dhe aspak ajo neve.

Nuk është e vështirë besoj t‘i japësh një përgjigje mjekut që sapo na u ankua: mua, ty, të gjithëve. Gjithmonë gjendet një përgjigje, ama jo gjithmonë e menduar, që vërtet të na detyrojë të mendohemi. Një e tillë do të ishte edhe një pyetje: Sa larg vlerave bazë morale jemi? Mos po i braktisim? Apo po na braktisin vlerat, në shenjë hakmarrjeje? Sepse ndryshe nuk shpjegohet rasti i atij mjekut tjetër (jo "të paaftë" dhe as "i pandershëm"), atij në Pogradec, që "Fiks"-i e denoncoi teksa i merrte pagesën e një muaji një fëmije të paralizuar, që vetëm kur e shikoje ashtu, me këmbë e duar të ngrira, me fytyrë të vrarë, sy të venitur e gjysmë të mbyllur, të ngjallte dhimbje (ndoshta, - më tha një miku im, - do të ishte më mirë që kronika të mos transmetohej në program satelitor, sepse do çudisnim botën!). E ndryshe nuk ka si të shpjegohet as ai "krimi" me fëmijët, atje në Poliçan. I morën nga shtëpitë e tyre dhe mirë bënë, i shpëtuan nga ngujimi, i mblodhën në një shtëpi, i shkollonin, por t‘i lësh vetëm me dy kothere bukë dhe ujë, është më shumë se krim. Kur dy, tre, katër apo dhjetëfish më shumë shpenzoheshin për dieta dhe harbime shefash.

Histori të tilla ka shumë. Jo vetëm në Shqipërinë tonë të vogël e të bukur nga jashtë, por edhe nëpër botë. Ama ndryshe nga ne, bota mëson nga pësimet, ndërsa ne, tragjikisht, punojmë për ta pësuar përsëri. Mund të gabosh dhe kjo është njerëzore. Por të bësh të njëjtin gabim dy herë (shpesh, na ndodh ta përsërisim aq shpesh sa mësohemi me të dhe e kemi shumë të vështirë të ndahemi), nuk është aspak normale. Këtu, - kjo nuk është e vetmja - nis rruga tragjike e një populli. Pikërisht kur skandali (sa shumë të tilla kanë ndodhur në Shqipëri!!!) nuk i bën më përshtypje askujt, madje ka humbur çdo vlerë, çdo kuptim; kur antivlera konsiderohet vlerë; kur antimorali moral; kur ndershmëria quhet budallallëk me brirë, ose edhe më keq, paaftësi, si ai mjeku që kishit përballë, në fillim të këtyre rreshtave; kur humanizmi humbet pak nga pak, edhe pse e ndjejmë këtë; kur me dashjen tonë po u themi "sitker" atyre pak ndjenjave që na kanë mbetur... ç‘mbetet njeriu i shkretë? Asgjë, një copë dru që kuturis asaj rrugës pa krye, pa ndonjë qëllim a ideal (jo ideale si ato të qëmotit), pa vrarje ndërgjegjeje se po shkatërron vetveten, e bashkë me të, edhe të tjerët.

... Ai mjeku i ri, që është vërtet i ndershëm, por ca i thonë "budalla" ngaqë s‘merr para, ca të tjerë "i paaftë" ngaqë prapë nuk merr para, po më pyet përsëri. Pak më ndryshe: Hë, si t‘ia vëmë emrin? Kësaj radhe, i kërkon përgjigje edhe vetes. Na kërkon përgjigje të gjithëve, sepse ai mjek nesër mund të jetë një polic, një mësues, një inxhinier, një shtetar etj. Mund të jetë njëri prej nesh, që kërkon të rikthehet edhe një herë te vlerat bazë të moralit njerëzor, sepse realisht kemi shumë nevojë për to. Sidomos tani, në këto kohë të turbullta.

Një mjek ende po pret përgjigje. Nga secili prej nesh! Ne mund ta ndihmojmë atë të zgjedhë rrugën e duhur: Të bashkohet me sistemin e keq që kanë ndërtuar kolegët e tij e t‘u nënshtrohet "rregullave" të tyre apo të vazhdojë si deri më sot, për të treguar se ende mund të besojmë tek ato vlera të mira që na ka përcjellë njerëzimi deri më sot? Ju zgjidhni e merrni! Unë do t‘i këshilloja të dytën. Jo vetëm atij!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›