E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujtimet e rigjetura te familjeve te medha

Sikur të kishin të njëjtën nostalgji, shumica e shqiptarëve do të ishin ndjerë të padobishëm mbi tokë, pasi ndoqën kronikën e "paradës" mbi Familjet e Mëdha shqiptare. Ekranet paraqitën një sallë të mbushur me pasardhës të Familjeve të Mëdha, duke emblemizuar persekutimet e tyre. Kulmi i persekutimeve ndodhi gjatë sundimit komunist. Fundi i tyre erdhi në Demokraci. Përveç mesazheve të Presidentit Topi, përgjigje ndaj disa debateve mbi detaje të reja të jetës dhe rolit të Skënderbeut, raportet televizive dhe të gazetave nuk i dhanë lexuesit ndonjë informacion tjetër, sidomos për periudhat historike parakomuniste.

1.

Vuajtjet dhe persekutimet kanë qenë një temë e preferuar e medias dhe vlerësimeve të historisë kombëtare. Shtetarë e politikanë, njerëz të shquar e të thjeshtë, të shkolluar e analfabetë, të pasur e të varfër, të persekutuar e persekutues, të sekuestruar e sekuestrues, humbës e përfitues, kanë folur, brenda hapësirave që kanë mundur të zënë në ekrane dhe faqe gazetash, për historitë e tyre. Këto histori na shkaktojnë, pa dyshim, dhimbje njerëzore. Por kjo dhimbje duhet të jetë e njëjtë, si për të shquarit e të mëdhenjtë, edhe për të rëndomtit e të vegjlit. Jeta ka të njëjtën vlerë si për latifondistin, edhe për mëditësin. Maksimizimi i vuajtjeve të një pjese, në raport me pjesën tjetër të popullsisë, madje shumicën, nuk është dinjitoze për një shoqëri.

Persekutimi i Familjeve të Mëdha ishte pjesë e persekutimit shoqëror, i cili nën Komunizëm mori një përmbajtje të dukshme klasore dhe politike. Mjaft prej Familjeve të Mëdha janë persekutuar edhe para barbarisë komuniste. Po cilët kanë qenë persekutorët parakomunistë? Faza e parë e konflikteve në shoqërinë moderne, - thotë Huntington, në një nga esetë e tij të famshme, - ishte e mbushur me konflikte princërish, perandorësh e monarkësh për të zgjeruar zotërimet, territoret, ushtritë, burokracitë dhe tregjet. Historia jonë nuk bën përjashtim nga kjo fazë e historisë botërore. Për një periudhë të gjatë historike, duke përjashtuar segmentin e regjimit komunist, pas çdo Familjeje të Madhe të persekutuar, qëndronte një Familje e Madhe persekutore.

2.

Vlerësimi i kontributeve në kohët moderne bëhet sipas disa kritereve universale. Vlerësimi për Familjet e Mëdha nuk duhet kufizuar vetëm në persekutimin e tyre nën robërinë komuniste, por në një kontekst më të gjerë social dhe në një tjetër më të gjatë kohor. Për shembull, nga qëndrimet në momente kyçe të historisë moderne, kur konfliktet globale u shndërruan nga konflikte prijësish, në konflikte midis shteteve e kombeve, në luftëra që përfshinë dhe kërkuan pjesëmarrjen e njerëzve të thjeshtë (pas Luftës së Parë Botërore) në konflikte midis Demokracisë Liberale dhe armiqve të saj, Nazi-Fashizmit dhe Komunizmit (periudha midis dy luftërave botërore), ose në konflikt midis Demokracisë Liberale dhe Komunizmit (gjatë Luftës së Ftohtë). Roli dhe qëndrimi më i diskutueshëm i Familjeve të Mëdha shqiptare ishte gjatë konflikteve midis Demokracisë Liberale dhe armiqve të saj. Me disa përjashtime, pjesa më e madhe e tyre falimentoi në rreshtimin me aleancat dhe betejat antifashiste.

Kjo ndodhi nën presionin e inspirimeve kundër komunistëve, ose siç shpreheshin ato, vegjëlisë. Shumica e Familjeve të Mëdha mbetën thjesht antikomuniste, por më pak antifashiste dhe pro-liberale. Komunistët, nga ana e tyre, bënë të kundërtën, duke u rreshtuar në koalicionet antifashiste. Familjet e Mëdha u përpoqën ta ndihmonin Demokracinë Liberale në luftën kundër Komunizmit, në një moment kur vetë ajo ishte e prirur për aleancë me të, kundër një rreziku për kohën: tmerrit nazi-fashist, i cili rrezikonte të shndërrohej në një gjëmë planetare. Ky rreshtim i dha argumente elitës politike të pas-luftës të shkallëzonte qëndrimet dhe instinktet e saj ekstreme kundër elitave kulturore, intelektuale dhe ekonomike. Gjithsesi, identifikimi i Familjeve të Mëdha vetëm me persekutimin është një keqkuptim dhe antimarketing i historisë kombëtare.

3.

Përpjekja për t‘u kapur mallëngjyeshëm pas historisë dhe traditës nuk është e padobishme për një komb. Por është e pamjaftueshme. Periudha e globalizimit kërkon mobilizimin e koncentruar të burimeve të zhvillimit. Shoqëria moderne zhvillohet jo me kujtimet e së kaluarës, por me novacionet e të sotmes. Gjatë dekadave të fundit, shoqëria shqiptare i është nënshtruar një mobiliteti të natyrshëm ekonomik, social dhe të elitave. Këto zhvillime kanë kapërcyer skemat e vjetra të Familjes, Klanit, Fisit, dhe kanë nxjerrë në plan të parë rregullat e lojës së shoqërisë moderne: mobilitetin dhe dinamikat sociale. Në këtë proces, në dukje kaotik, secili përpiqet të gjejë një vend, një strehë, një rol. Struktura e klasës së lartë të shoqërisë përbëhet kryesisht nga paraja. Por jo aq nga "paraja e vjetër" se sa nga "paraja e re". Kjo e fundit, ndonëse më pak prestigjioze, është më shumë gjeneruese e zhvillimit.

Në shoqëritë e faturuara, kjo klasë përbën rreth një për qind të popullsisë. Në Shqipëri studimet mungojnë, por gjasat janë që kjo klasë të zërë një vend më të vogël, për shkak të polarizimit të theksuar. Të dyja blloqet e klasës së lartë reflektojnë përgjithësisht një kulturë të ngjizur nga paraja dhe jo nga arsimi. Ndërkohë, shtresa e shoqërisë që ndodhet midis klasës së lartë dhe të mesme, pra klasa e lartë e mesme, e përbërë nga profesionistët e fushave të ndryshme, reflekton një kulturë të ngjizur nga arsimi, edukimi dhe vlerat. Shoqëria shqiptare është deficitare pikërisht për këtë klasë. Në vendet e qytetëruara, ajo zë rreth 15 për qind të popullsisë dhe përbën gjeneratorin e zhvillimit. Investimet në fushën e arsimit dhe edukimit përkthehen në incentiva të kristalizimit të saj.

Ndërkohë, motori i zhvillimit të shoqërisë perëndimore është klasa e mesme, e cila në një shoqëri demokratike të pjekur përbën rreth tridhjetë për qind të popullsisë. Por në Shqipëri, kjo klasë është ende e pakristalizuar. Grupet e profesionistëve që përbëjnë, si rregull, atë janë instaluar në pozicione dytësore e ndihmëse të profesionistëve, mjekëve, avokatëve, menaxherëve, tregtarëve etj. Edukimi dhe investimi arsimor e intelektual duhet t‘i kishte ata ngjitur në shkallën e dytë të hierarkisë sociale. Por mobiliteti i kufizuar dhe mungesa e shanseve në tregun e punës i ka lënë në mes të rrugës. Kristalizimi i kësaj klase dhe nxitja e kontributeve të saj është kritike për shoqërinë shqiptare.

4.

A mund të quhen Familjet e Mëdha familje elitare? A prodhohet detyrimisht elita prej tyre? Në hapësirën midis Familjeve të Mëdha dhe elitës po hyjnë mjaft faktorë të tjerë, midis të cilëve më të rëndësishmit janë individi dhe arsimi. Individi i shkolluar përbën një ndër katër "I"-të e domosdoshme për progresin në shoqërinë e sotme, bashkë me Informacionin, Investimet dhe Industrinë. Shoqëria e sotme demokratike është një trampolinë prej nga individët synojnë majat dhe oportunitetet e shoqërisë, nisur jo nga origjina, por nga kualifikimet e tyre.

Kur Bill Klinton u bë banori i 42-të i Shtëpisë së Bardhë, familja Klinton nuk kishte ende një shtëpi të hipotekuar të sajën, dhe as që bëhej fjalë për prona e pasuri. Pasuria e çiftit presidencial ishin diplomat nga Yale dhe reputacioni si juristë, avokatë dhe qeverisës të njohur. Riprodhimi i elitave mbi bazën e trungut familjar, nga Familjet e Mëdha ose Familjet Politike, është karakteristikë e regjimeve autoritariste dhe shoqërive pamjaftueshmërisht të qytetëruara. Prandaj në zyrat e administratorëve dhe qeverisësve bëjnë më shumë hijeshi diplomat e universiteteve prestigjioze, sesa tapitë e tokave dhe emblemat e kryezotëve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›