E Diel, 1 Nëntor 2026

Tibet,Dalai Lama mund të tërhiqet nga politika

Lideri shpirtëror i Tibetit Dalai Lama ka deklaruar se po shikonte mundësinë për t'u tërhequr nga politika. 73 vjecari Dalai Lama tha se e kishte konsideruar veten gjysmë të tërhequr që nga koha kur u krijua qeveria e Tibetit në mërgim, në vitin 2001. Lideri tibetian ndodhej në Romë kur bëri këto deklarata, ku u nderua me titullin qytetar nderi i kryeqytetit italian. Ceremonia u zhvillua në të njëjtën kohë kur Kina paraqiti për herë të parë pikëpamjet e saj mbi të drejtat e njeriut në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë. Dalai Lama, i cili vazhdon të bëjë apel për një afrim më të madh të Tibetit nga ana e qeverisë kineze, deklaroi muajin e kaluar se akoma besonte në popullin kinez dhe shpresonte për një ndryshim të mundshëm të politikës së Kinës ndaj Tibetit. "Kështu, nëse Kina ju akuzon për ngritjen e flamurit tibetian, ju mund të përgjigjeni se vetë ish-Presidenti Mao Ce Dung më ka dhënë leje mua personalisht për ta bërë një gjë të tillë", tha Dalai Lama përpara njerëzve në ceremoninë e zhvilluar në Romë. Lideri i Tibetit ndodhej i shtruar në një spital të Nju Dehlit deri para një jave, pas disa problemeve shëndetësore. "Tani po shoh mundësinë për një tërheqje të plotë, por që nuk do të thotë se do të heq dorë nga shpresa apo vendosmëria", u shpreh ai në gjuhën angleze. Trupat kineze pushtuan Tibetin në vitin 1950 dhe Dalai Lama u detyrua të linte vendin më 1959-ën, pasi dështoi në revoltat kundër regjimit kinez.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›