E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iu kthehen stërvitjeve

Pas dy ditësh bojkot, futbollistët e Flamurtarit të mërkurën iu kanë rikthyer sërish stërvitjeve. Futbollistët kyçë të ekipit prishtinas nga e hëna kishin bojkotuar stërvitjet e ekipit, në shenjë proteste ndaj drejtuesve të klubit, të cilët nuk i kishin kryer obligimet ndaj futbollistëve për dy muaj e më shumë prej kampionatit të kaluar.

Mirëpo, udhëheqësit e Flamurtarit tashmë e kanë kryer një pjesë të borxheve ndaj futbollistëve, të cilëve u kanë premtuar se shpejt do t’u kryhet edhe pjesa tjetër e borxhit.

Me këtë rast, lojtarët janë pajtuar t’u kthehen stërvitjeve. “I kemi nisur stërvitjet, sepse drejtuesit e klubit nga një rrogë na e kanë dhënë. Ata na premtuan se shumë shpejt do t’i shlyejnë në tërësi borxhet ndaj nesh. Ne u besuam atyre dhe filluam të stërvitim”, tha për Express, njëri prej lojtarëve kyçë të Flamurtarit, Artan Gashi.

“Nëse drejtuesit e klubit nuk i mbajnë premtimet për t’i kryer edhe borxhet e tjera, nuk e përjashtoi mundësinë që t’i bojkotojmë sërish stërvitjet, apo ndoshta mund ta nisim fare kampionatin. Por unë shpresoj dhe besoj se ata do t’i kryejnë të gjitha obligimet ndaj lojtarëve dhe nuk do të ketë më probleme”, përfundoi Gashi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›