E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivanaj: Akoma nuk jemi prekur nga epidemia gripale

 

Ministria e Shëndetësisë përjashton prezencën e një epidemie gripi në vendin tonë. Por drejtuesit e saj pohojnë se janë në gatishmëri dhe po monitorojnë çdo ditë situatën. “Rastet e regjistruara deri tani nuk mund të konsiderohen si shpërthime masive të gripit. Që të kemi një epidemi, duhet që java pasardhëse të ketë dyfishim të rasteve, krahasuar me atë paraardhëse”, deklaroi dje zv/ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj. Ai nënvizoi se të dhënat tregojnë për një rritje që  është në të njëjtin trend sikurse dhe vitet e kaluara. “Sipas statistikave nga ISHP, jemi në atë që quhet ‘pragepidemie’, por infeksionet gripale janë sezonale, nuk janë jashtë sezonit”, tha Ivanaj. Ai bëri apel për më shumë ndërgjegjësim dhe edukim të  pacientëve, si faktor që mund të shmangë problemet lidhur me infeksionet gripale. Sipas zv/ministrit, ky problem është bërë pjesë edhe e reformës, që po ndërmerret në sektorin e shëndetësisë. ”Edukimi i pacientëve është një i domosdoshëm. Ne synojmë ta rregullojmë së shpejti me hapat që po marrim për reformimin e sistemit shëndetësor, duke dhënë më shumë informacion se kur është vërtet domosdoshmëri të shkohet në spital”, tha Ivanaj. Ditët e fundit urgjencat e spitaleve kanë pasur një fluks tepër të lartë pacientësh. Vetëm në spitalin “Nënë Tereza” paraqiten 300 fëmijë për të marrë asistencë mjekësore. Nëse atyre do t’u shtohen edhe të rriturit, bilanci arrin në 500 persona. Virozët gripalë po arrijnë pikun e tyre. Për fëmijët, mjekët këshillojnë shmangien sa më shumë të antibiotikëve, në rastet kur janë prekur nga viroza. Sipas tyre  gjatë kësaj periudhe e nevojshme është marrja e vitaminave dhe një dietë e shëndetshme ushqimore. Nga sa pohojnë bluzat e bardha  duhet, që me të vegjlit të tregohet më shumë kujdes, pasi nga një grip i thjeshtë mund të kalojnë edhe në ftohje me pasoja të rënda për shëndetin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›