E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivanaj: Gripi nuk pengon hapjen e shkollave

TIRANË- zv.ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj ka përgënjeshtruar sot lajmet e publikuara në media për mundësinë e shtyrjes së vitit shkollor për shkak të gripit të derrave. "Shkollat, kopshtet e çerdhet do të hapen në kohën e duhur, pavarësisht përhapjes së virusit të gripit A /H1N1/", u shpreh ai.


Ivanaj theksoi se "nuk ka asnjë arsye të mendojmë për shtyrjen e shkollave apo mos hapjen e tyre, ashtu sikurse nuk ka arsye të mendojmë për ndryshimin e sjelljeve tona të përditshme". Duke garantuar se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për mbajtjen nën kontroll të situatës, Ivanaj konsideroi të thënat e deritanishme mbi mos hapjen e shkollave në datën e përcaktuar (14 shtator) si të nxituara.


Ndërkohë, Drejtoritë e Shëndetit Publik në rrethe janë udhëzuar të kenë komunikim të vazhdueshëm dhe të veçantë në shkolla, me fëmijët. Gjithashtu, janë përgatitur dhe fletë-palosje informuese për fëmijët mbi masat parandaluese dhe mënyrën e sjelljes ndaj virusit A (H1N1). Specialistët këshillojnë që të tregohet kujdes me higjienën, sidomos larjen e duarve, dhe të garantohen mjetet e duhura në mjediset e shkollave.


Deri tani në vend janë konfirmuar 30 raste të prekura nga virusi A (H1N1), ndërsa priten përgjigjet e analizave edhe për 9 raste të dyshuara nga Laboratori i Referencës për Europën Juglindore në Bukuresht (Rumani).



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›