E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirimi i të burgosurve, Rama letër Topit: Zbardh krimin elektoral

TIRANË - Kreu i PS-së i ka dërguar sot një dosje Presidentit të Republikës me shkeljet ligjore që u bënë për zgjedhje, kryesisht ato që kanë të bëjnë me lirimin e të burgosurve për fushatë. Rama i kërkon Presidentit, që në cilësinë e Kryetarit të KLD-së, të vërë në vend drejtësinë.


Letra e plotë:

I nderuar zoti President,


Më lejoni të ndaj me ju shqetësimin serioz që zgjedhjet e 28 qershorit jo vetëm që nuk plotësuan aspiratën dhe nevojën e Shqipërisë për përmbushjen e standardeve evropiane të lirisë e të ndershmërisë së tyre por nxorën ndër të tjera në pah edhe një problem mprehtësish kërcënues për demokracinë dhe shtetin ligjor.

Ky problem ka lindur prej shkeljes flagrante të ligjit nga autoritete të larta shtetërore që kanë mundësuar në periudhën e fushatës elektorale nxjerrjen prej burgjeve të personave shoqërisht të rrezikshëm jashtë të gjitha kushteve të parashtruara me ligj për dhënien e "lejeve të përkohshme".

Ne nuk mund të pranojmë që Shqipëria të jetë vendi ku parlamenti dhe qeveria lindin nga shkelja e standardeve demokratike deri në bashkëpunim mes autoriteteve të shtetit dhe "autoriteteve" të krimit, ashtu si kundër nuk mund të lejojmë që ky problem kaq i rëndë jo thjesht për zgjedhjet por për sigurinë e shtetin e së drejtës në Shqipëri, të mbetet pa u trajtuar deri në fund në të gjitha rrugët e mundshme ligjore e institucionale.

Duke kërkuar prej jush në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë
që të konsideroni me autoritetin e instancës suaj materialin bashkangjitur, të siguruar prej nesh në rrugë konfidenciale lidhur me sa parashtrova.

Drejtori i Burgjeve, Dibra pranon lirimin e të dënuarve, por jo për fushatë


ora 08:00

TIRANË - Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, ka reaguar sot për deklaratat e kreut socialist, lidhur me dhënien e lejeve për të burgosurit në kohën e zgjedhjeve. Sipas të cilit deklaratat e Ramës janë problematike dhe nuk qëndrojnë.


"Lejet e të dënuarve janë dhënë konform të gjitha rregullave dhe nuk ka vend për ngritjen e hipotezave dhe akuzave se ata mund të jenë përdorur për fushatë elektorale", u shpreh Dibra.


Disa ditë më parë, gjatë Kongresit të Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste u transmetua një material i gjatë filmik për abuzimet në zgjedhje, në të cilin ishte përfshirë edhe një pjesë që denonconte lirimet e kryera nga institucioni i burgjeve muajin qershor. Ndërkohë kreu i PS-së, Edi Rama, disa herë radhazi ka denoncuar se të burgosur janë vënë në shërbim të fushatës së PD-së, duke akuzuar drejtpërdrejt Kryeministrin Berisha.



Lirimi i të burgosurve, reagon PD: Rama të faktojë shkeljet


1 shtator

TIRANË- Partia Demokratike ka kërkuar sot nga kreu socialist Edi Rama të faktojë rastet e shkeljes së ligjit për lejet e dhëna për personat e dënuar. Gjatë një deklarate për shtyp, fill pas deklaratës së Ramës, zëdhënësja e PD-së, ka theksuar se Rama nuk duhet të atribojë akuza për qytetarët e këtij shteti vetëm se janë të burgosur. "Kreu i PS-së sot pati rastin të bëjë publike të gjitha rastet që ai pretendon se është shkelur ligji më dhënien e lejes së posaçme për të burgosurit dhe implikimit në procesin zgjedhor, por nuk e bëri, pasi nuk ekziston asnjë provë e tillë"- tha zëdhënësja Mëhilli. Sipas saj, të burgosurit janë lejuar dhe do lejohen të shkojnë në shtëpitë e tyre në zbatim të një rregulli që ekziston në çdo vend të lirë.


Në mesditë Rama kërkoi që shteti të marrë përgjegjësitë për lirimin e të burgosurve me urdhra të veçantë për votime. Ai tha se Partia Socialiste nuk do të reshtë së denoncuari sepse shteti i së drejtës është krizë.

"Për lejet e daljes së të burgosurve është fajtor direkt Sali Berisha i cili së bashku me Ilir Metën po përgatiten për dasmën e turpit politik", u shpreh sot Rama. Ndërsa vijoi se "nuk mundet që gjithë këtë proces që solli institucione të cunguara ta hedhin pas krahëve, por do ta kenë në mënyrë të vazhdueshme para syve ata dhe i gjithë opinioni publik sepse ne jemi të vetëdijshëm se kjo maskaradë zgjedhore nuk mund të prodhojë legjitimit të plotë".

Sipas Ramës, nuk mund të ketë demokraci dhe liri për popullin shqiptar, për sa kohë shteti i së drejtës është në krizë.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›