Drejtori i Burgjeve, Dibra pranon lirimin e të dënuarve, por jo për fushatë
TIRANË - Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, ka reaguar sot për deklaratat e kreut socialist, lidhur me dhënien e lejeve për të burgosurit në kohën e zgjedhjeve. Sipas të cilit deklaratat e Ramës janë problematike dhe nuk qëndrojnë.
"Lejet e të dënuarve janë dhënë konform të gjitha rregullave dhe nuk ka vend për ngritjen e hipotezave dhe akuzave se ata mund të jenë përdorur për fushatë elektorale", u shpreh Dibra.
Disa ditë më parë, gjatë Kongresit të Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste u transmetua një material i gjatë filmik për abuzimet në zgjedhje, në të cilin ishte përfshirë edhe një pjesë që denonconte lirimet e kryera nga institucioni i burgjeve muajin qershor. Ndërkohë kreu i PS-së, Edi Rama, disa herë radhazi ka denoncuar se të burgosur janë vënë në shërbim të fushatës së PD-së, duke akuzuar drejtpërdrejt Kryeministrin Berisha.
Lirimi i të burgosurve, reagon PD: Rama të faktojë shkeljet
1 shtator
TIRANË- Partia Demokratike ka kërkuar sot nga kreu socialist Edi Rama të faktojë rastet e shkeljes së ligjit për lejet e dhëna për personat e dënuar. Gjatë një deklarate për shtyp, fill pas deklaratës së Ramës, zëdhënësja e PD-së, ka theksuar se Rama nuk duhet të atribojë akuza për qytetarët e këtij shteti vetëm se janë të burgosur. "Kreu i PS-së sot pati rastin të bëjë publike të gjitha rastet që ai pretendon se është shkelur ligji më dhënien e lejes së posaçme për të burgosurit dhe implikimit në procesin zgjedhor, por nuk e bëri, pasi nuk ekziston asnjë provë e tillë"- tha zëdhënësja Mëhilli. Sipas saj, të burgosurit janë lejuar dhe do lejohen të shkojnë në shtëpitë e tyre në zbatim të një rregulli që ekziston në çdo vend të lirë.
Në mesditë Rama kërkoi që shteti të marrë përgjegjësitë për lirimin e të burgosurve me urdhra të veçantë për votime. Ai tha se Partia Socialiste nuk do të reshtë së denoncuari sepse shteti i së drejtës është krizë.
"Për lejet e daljes së të burgosurve është fajtor direkt Sali Berisha i cili së bashku me Ilir Metën po përgatiten për dasmën e turpit politik", u shpreh sot Rama. Ndërsa vijoi se "nuk mundet që gjithë këtë proces që solli institucione të cunguara ta hedhin pas krahëve, por do ta kenë në mënyrë të vazhdueshme para syve ata dhe i gjithë opinioni publik sepse ne jemi të vetëdijshëm se kjo maskaradë zgjedhore nuk mund të prodhojë legjitimit të plotë".
Sipas Ramës, nuk mund të ketë demokraci dhe liri për popullin shqiptar, për sa kohë shteti i së drejtës është në krizë.