Ivanaj: Reforma në kujdesin parësor dhe spitalor çojnë në integrimin e sistemit shëndetësor

Reforma në kujdesin shëndetësor parësor, e nisur në fillim të vitit 2007, ka ndikuar në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve. Ndërkohë, përfshirja e spitaleve në skemën e sigurimeve shëndetësore në fillim të këtij viti, pritet të çojë në integrimin e sistemit shëndetësor. "Në bashkëpunim me USAID, ne aplikuam një model, i duhuri për momentin në Shqipëri, dhe që ka qenë rezultativ, me rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor dhe të aksesit të popullatës", tha sot zv.ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj. Sipas tij, "e gjithë kjo është një proces në transformim, që duhet të evolojë akoma më tej, por dhe që ka sjellë gjëra pozitive në sistemin tonë shëndetësor". Zv/minisitri Ivanaj vuri në dukje se përfshirja e spitaleve në skemën e sigurimeve shëndetësore do të çojë në integrimin e sistemit shëndetësor. "Ishte e domosdoshme të bëheshin të dyja, nuk mund të jetojnë pa njëra tjetrën dhe kjo çon në integrimin e sistemit", sqaron ai. Pacienti, vijon ai shkon tek mjeku i familjes dhe më pas në spital dhe që këtu kthehet prapë tek mjeku i familjes dhe nëse këto të dyja nuk janë të integruara, do të kemi çarje ndërmjet shërbimit, ndodh humbja e pacientit dhe e kujdesit ndaj tij, ndaj kjo duhet të funksionojë si një e tërë. Sipas zv.ministrit Ivanaj, "ky mekanizëm financimi favorizon dhe lehtëson në maksimum funksionimin si një e tërë të këtij procesi". Por, ky reformim i sistemit do të ndikonte drejtpërdrejtë dhe në skemën e sigurimeve shëndetësore. "Sigurisht që kontribuon në zërin që quhet 'kontribues vullnetarë', por problemi lidhet shumë dhe me atë që quhet puna e zezë", thotë ai. "Duhet të formalizohemi, është ajo që qeveria e drejtuar nga Kryeministri Berisha, ka insistuar dhe insiston vazhdimisht, dhe që është shumë e rëndësishme", theksoi zv.ministri i Shëndetësisë. Për z. Ivanaj, ky është një proces i tërë dhe formalizimi i ekonomisë, i shoqërisë, do të çojë në rritjen e kontribuesve në skemën e sigurimeve. "Çdo vend përballon sistemin shëndetësor me kontributet që dalin nga popullata", tha ai, duke nënvizuar se kontributet për paketa të caktuara shëndetësore, sidomos për shëndetin publik, përballohen nga buxheti i shtetit. Shëndeti publik, sipas tij, duhet të përballohet nga buxheti i shtetit dhe është tjetër problem kujdesi, apo dhënia e shërbimit.
Ndërkohë, vetë drejtuesit e qendrave shëndetësore konsiderojnë se përfshirja e spitaleve në skemën e sigurimeve të kujdesit shëndetësor do të ndikojë ndjeshëm dhe në përmirësimin e reformës në kujdesin parësor. "Pjesa e pacientëve që nuk kalonin filtrin e parë, që është shërbimi parësor, por drejtoheshin drejpërsëdrejti në spital, do të eliminohet", pohoi drejtori i qendrës shëndetësore nr. 8 në Tiranë, dr. Neritan Këlliçi. Kjo, sipas tij, duke bërë që ata të rikthehen në shërbimin parësor, të pajisen me librezë shëndetësore, nëse nuk kanë, dhe t'i drejtohen spitalit, në bazë të rekomandimit të mjekut të familjes. "Kjo do të ndikonte drejtpërdrejt në rritjen e numrit të të siguruarve. Futja e spitaleve në skemë dhe pajisja me kartat e shëndetit është një hap i rëndësishëm, që do të ndikojë ndjeshëm në pajisjen e personave me librezë shëndetësore", thotë ai. Z. Këlliçi shton se "qytetarët do të drejtohen më parë tek mjeku i familjes, si portë hyrëse dhe pritëse për pacientin, çka do të ketë ndikim dhe në vetë spitalin, pasi këtu nuk do të ketë më fluks të madh pacientësh, që mund të jenë me problematikë të vogël shëndetësore, por dhe shpesh herë të pasiguruar, pa librezë shëndetësore, pa rekomandim të mjekut të familjes".
...