E Diel, 1 Nëntor 2026

Kule për diplomat e reja: Gati formati paraprak, presim sugjerimet e studentëve

Rektorati i Universitetit të Tiranës (UT) ka përgatitur tashmë një format paraprak të diplomave të reja të ciklit të parë të studimeve dhe suplementin shoqërues, duke u bazuar në udhëzimin e posaçëm të firmosur pak ditë më parë nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja. "Aktualisht në përputhje me udhëzimin e ri të MASH dhe standardet e Bolonjës, UT ka përgatitur një format fillestar të diplomave, e cila i është dërguar edhe studentëve, me qëllim që edhe ata të japin sugjerimet e tyre për formën dhe përmbajtjen", tha Rektori i UT-së, Prof. Dr. Dhori Kule. Ai bëri të ditur se sugjerimet e studentëve në lidhje me elementët si titulli apo paraqitja grafike e diplomave të reja, do të paraqiten javën e ardhshme. Modeli i ri diplomave për studimet 3-vjeçare, i kërkuar pak javë më parë nga krerët e universiteteve dhe studentët, u mbështet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila u dërgoi rektorateve një udhëzim të ri për hartimin e këtyre diplomave, duke revokuar kështu udhëzimin nr.26 të datës 14.07.08. jo, sipas rektorit Kule, i përgjigjet pretendimeve të ngritura nga vetë studentët për këtë diplomë. Prej afro një muaji studentë nga fakultete të ndryshme në Universitetin e Tiranës, kanë protestuar për modelin e diplomës së studimeve të nivelit të parë sipas Bolonjës, duke kundërshtuar një sërë elementësh të pasqyruar në këtë diplomë, që sipas tyre, binin ndesh me ligjin për Arsimin e Lartë.

Elementet përbërëse të diplomës

Bazuar në udhëzimin më të fundit të dërguar vetëm pak ditë më parë pranë universiteteve nga Ministria e Arsimit, janë detajuar elementët që do të jenë pjesë përbërëse e këtij formati. Ndryshe nga modelet e mëparshme, të lëshuara sipas udhëzimit të nxjerrë nga ish-ministri Genc Pollo, tashmë studentët në diplomat e tyre 3- vjeçare do të kenë elementë të specifikuar. Duke filluar nga ky vit, diplomat që do të lëshohen për këta studentë dhe masterat do të jenë me nivele, ndërsa emërtimi i tyre do ketë edhe profilin e arsimit. Diplomat e reja, që pritet të shpërndahen pas dy javësh, do të kenë edhe titullin që marrin studentet në mbyllje të tre viteve të para të shkollës së lartë. Kështu, sipas udhëzimit të dërguar në universitete, theksohet se emërtimi i diplomës së lëshuar, sipas programeve të miratuara të studimit dhe cikleve të studimit, do të jetë shumë më e saktë, duke përfshirë edhe kërkesat e studentëve. Konkretisht diploma për secilin kandidat në të tria ciklet e studimit do të përmbajë të dhëna të përbashkëta për të gjitha institucionet e arsimit të lartë që veprojnë në vendin tonë sipas ligjit në fuqi. Konkretisht formati i ri do të ketë të detajuar: "stemën e Republikës së Shqipërisë, emblemën e institucionit përkatës të arsimit të lartë që e lëshon, emërtimin e institucionit përkatës, emrin, atësinë dhe mbiemrin e studentit, vendin dhe datën e lindjes, emërtimin e diplomës, datën e mbrojtjes së tezës së diplomës, numrin e amzës, matrikulimit të studentit, numrin e diplomës, datën e lëshimit të diplomës si dhe emrin e rektorit dhe të dekanit përkatës të shkruar me dorë", theksohet në udhëzimin përkatës. Elementët e sipërpërmendur janë baza që duhet të përmbajë çdo format diplome. Pavarësisht kësaj, universiteteve u është lënë dorë që të shtojnë elementë të tjerë që ato i gjykojnë të arsyeshme, si dhe formulimin grafik të diplomave.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›