Ivanaj: S’ka më besim mes mjekëve dhe ministrisë
Z. Ivanaj, protestat e mjekëve në QSUT janë shoqëruar me deklarata të shumta kundër Ministrisë së Shëndetësisë, akuza më e fortë ishte mosrealizimi i tenderave, çka ka sjellë, sipas tyre, edhe falimentimin e spitalit. Cili është komenti juaj?
Sikurse jemi njohur me shqetësimet që ka ngritur një grup profesorësh në QSUT të Fakultetit të Mjekësisë, ka pasur probleme me tenderat, ka pasur probleme me furnizimin, qoftë të laboratorit, qoftë me ilaçe, por do të thoja se këto mungesa nuk reflektojnë thelbin e problemit. Në QSUT ka pasur probleme dhe ka probleme të akumuluara në sistemin tonë shëndetësor qysh prej 17 vitesh.
Në qoftë se i referohemi asaj se çfarë kemi bërë ne në QSUT për 3 vitet e fundit mjafton t’i referohemi faktit që e kemi gjetur me një buxhet prej afërsisht 11 milionë eurosh dhe sot buxheti i QSUT-së është 23 milionë euro.
Në qoftë se marrim fushën e onkologjisë, buxheti për citostatikët ishte 700 mijë euro dhe aktualisht është 4 milionë euro. Në qoftë se do t’i referohemi fushës së nefrologjisë, numri i të dializuarve është rritur me 1.5 herë. Po kështu, është rritur edhe numri i operacioneve të rënda që janë bërë dhe bëhen në QSUT. Morëm këta dy shembuj, por kjo rritje është në të gjitha drejtimet. Kur ju thashë janë probleme të akumuluara, do të thotë se janë disa probleme teknike të stafeve teknike, të cilat janë në zgjidhje e sipër. Pra, nuk është problemi se nuk është menduar dhe nuk po punohet. Unë do të thoja se është bërë një punë e mirë, voluminoze e cilësore, por siç ju thashë, janë disa probleme teknike, të cilat akumulohen çdo ditë. Sistemi ynë shëndetësor ka probleme, ka shumë probleme, por ne mendojmë se i kemi futur përfundimisht në rrugën e zgjidhjes. Në qoftë se do t’i referohemi faktit se përse nuk janë realizuar në këto 17 vjet, është analizë goxha e gjatë dhe besoj se nuk është momenti. Por, do të thosha që ne kemi bërë diagnozën dhe kemi gjetur zgjidhjen e probleme të trashëguara dhe problemeve aktuale. Kemi një strategji për 7 vitet e ardhshme, kemi në proces të miratimit dy ligje shumë të rëndësishme, siç është ligji bazë i sistemit shëndetësor, i cili po ndryshon një ligj të vitit 1963 dhe ligji i financimit të sistemit shëndetësor.
Në proces përgatitjeje është edhe ligji për shëndetin publik. Janë pikërisht këto katër dokumente ose katër ligje, të cilat reflektojnë programin tonë shëndetësor për 7 vitet e ardhshme, që janë garant i ndryshimit të sistemit sovjetik që kemi aktualisht në shëndetësi dhe garant i një sistemi shëndetësor që të integrohet në rajon dhe në sisteminm shëndetësor europian.
Parimet dhe principet mbi të cilat janë ndërtuar këto dukomente janë në përputhje me planin e veprimit të BE-së në fushën e shëndetësisë. Një nga pikat që kemi parashikuar në draftstrategji është rritja e aftësisë politikëbërëse në Ministrinë e Shëndetësisë dhe do të thoja që ekskluziviteti (ndoshta është fjala e duhur) në politikëbërje ngelet dhe është i Ministrisë së Shëndetësisë. Por, sikurse kemi vepruar edhe në disa raste të tjera, të gjitha vendimmarrjet tona i janë nënshtruar një diskutimi të gjerë me opinionin dhe janë diskutuar me të gjitha grupet e interesit, si dhe me partnerët dhe donatorët tanë dhe gjithmonë kemi gjetur mirëkuptimin. Madje, për një numër dokumentesh apo strategjish që janë diskutuar në grupin parlamentar kanë dhënë “ok”. Ndoshta në këtë diskutim me grupin e profesorëve dhe stafin e mjekëve të QSUT-së ka pasur një mungesë thyerjeje të besimit momental që besojmë se do ta rikuperojmë shumë shpejt.
Mjekët e QSUT-së kanë deklaruar se do të vazhdojnë protestat çdo të hënë, madje janë shprehur se kësaj herë mund të jenë me orë më të zgjatura. A ka menduar Ministria e Shëndetësisë një zgjidhje për t’iu dhënë fund protestave?
Ne po mendojmë për t’iu dhënë fund problemeve, jo protestave. Ne po mendojmë që të kemi zgjidhje, sikurse e thashë edhe më përpara, dhe jo zgjidhje imediate ose të ditës, por zgjidhje afatmesme dhe afatgjata që, sikurse e thashë, janë të dokumentuara.
Këto dukomente, sigurisht janë diskutuar me të gjitha grupet e interesit. Ne, praktikisht kemi hyrë në kontakt me grupin kryesor dhe po diskutojmë si t’iu japim zgjidhje këtyre problemeve.
Në cilën pikë mendoni se mjekët po abuzojnë, qoftë me deklaratat e tyre gjatë protestave, qoftë edhe në lidhje me kërkesat që kanë parashtruar në peticionin e firmosur?
Nuk do të preferoja që të bëja replikë nëpërmjet medias me profesorët, një pjesë e të cilëve janë edhe profesorët e mi. Në diskutimet që do të bëjmë, ku do të ftohen edhe mediat (për të qenë të hapur me publikun), do të jenë më të qarta diskordancat ndërmjet nesh.
Peticionin, ku mjekët e QSUT-së kanë vendosur emrat dhe firmat, ia kanë nisur kryetares së parlamentit, Presidentit të Republikës dhe kryeministrit, përse e kanë devijuar Ministrinë e Shëndetësisë?
Këtu më tepër mund të bëjmë një koment sesa t’i japim përgjigje të saktë kësaj pyetjeje. Ndoshta është thyer besimi midis nesh.
Sipas OBSH-së, sëmundja e kancerit në Shqipëri po rritet shumë. Çfarë ka bërë Ministria e Shëndeëtsisë në këtë drejtim dhe a ka marrë ndonjë fushatë sensibilizuese për popullsinë në lidhje me këtë sëmundje?
Kanceri është bërë një problem në shëndetësi. Në qoftë se i referohemi kurbës në rritje të kancerit në të gjithë botën, ajo është një kurbë në rritje relative dhe me vlerë absolute. Kanceri, aktualisht është shkaku i dytë i vdekjeve pas sëmundjeve kardiovaskulare në të gjithë botën. Në disa vende është shkaku i parë i vdekshmërisë, për vetë faktin se, çdo ditë e më shumë bëhet zgjidhja më e mirë e sëmundjeve kadriovaskulare. Jo se nuk po punohet edhe me problemet e kancerit, por zgjidhja për kancerin është pak më e vonuar, kryesisht në drejtim të trajtimit dhe efikasitetit të trajtimit. Unë do të thoja që nuk ka rritje të frekuencës së kancerit në Shqipëri, në mënyrë të veçantë në raport me popullatat e tjera. Ne kemi të njëjtën frekuencë të kancerit si të gjitha popullatat kaukaziane, si të gjitha vendet e rajonit dhe Bashkimit Europian. Në frekuencën e kancerit, faktorët që ndikojnë janë faktorë ambientalë dhe të tjerë. Faktorët ambientalë, momentalisht janë të identifikuar. Janë një numër faktorësh të cilët ndikojnë në frekuencën e kancerit. Problemi ynë është se nuk kemi studime të mirëfillta që të vlerësojmë impaktet që për shembull ka pasur ndërtimi i metalurgjikut në shëndetin publik, jo vetëm për kancerin, por shëndetin publik në tërësi; kush është impakti i tyre; sa ka qenë incidenca e kancerit para viteve 1973 kur filloi ndërtimi i metalurgjikut; sa është incidenca e kancerit në këtë zonë. Sigurisht që kjo duhet rregulluar me koeficientin e rritjes natyrale të incidencës së kancerit, por këto studime, qoftë për Elbasanin, qoftë për zonat e nxehta (Porto-Romano apo depozitimi i pesticideve në Bajzë) praktikisht mungojnë. Studimet nuk janë bërë nga punonjësit tanë të shëndetit publik për arsye le të themi x, por përsëris se kjo nuk do të thotë se, për faktin që kemi mungesë të studimeve kemi rritje më të lartë të kancerit në raport me popullsinë e vendeve të tjera.
Në Shqipëri, teorikisht dhe praktikisht nuk ka asnjë faktor që nuk ekziston në ndonjë vend tjetër, apo ndonjë faktor që teorikisht mund të ketë impakt në rritjen e incidencës së numrit të kancerit në vend. Çfarë ka ndodhur në Shqipëri këto 10 vitet e fundit? - është rritur ndërgjegjësimi për problemin, është rritur vlerësimi për problemin dhe ajo që është më e rëndësishme, kemi arritur të evidentojmë punën tonë. Në qoftë se sot kemi një regjistër për kancerin, i cili para 5 vitesh ose nuk ekzistonte, ose ishte në gjendje të mjerueshme; në qoftë se kemi një incidencë të caktuar për një sëmundje të caktuar ajo është e mirevidentuar dhe po ta krahasojmë me atë para 10 vitesh, kjo incidencë ishte 0 dhe sot është 3. Kjo nuk do të thotë se është rritur incidenca e kësaj sëmundjeje me 3 herë. Duhet sqaruar mirë që ne kemi rritur evidentimin, kemi rritur saktësimin, kemi bërë punën tonë. Pra, po evidentojmë punën tonë, por po evidentojmë edhe incidencat që kemi. Në morinë e shkrimeve që bëhen dhe po bëhen për këtë problem, ka një pikë të përbashkët që nuk e reflektojnë këtë që sapo thashë. Fakti që ne nuk kemi pasur spital, nuk do të thotë që nuk kemi pasur të sëmurë. Por, fakti që sot kemi 100 të shtruar në spital, po marr një shembull, nuk do të thotë që është rritur me 100 herë incidenca e patologjisë. Nga ana administrative çfarë kemi bërë?
Nga shtatori i kaluar, ne kemi një komunitet nacional të kontrollit të kancerit, ngritja e të cilit shkon paralel me rekomandimet e OBSH-së për kontrollin e kësaj sëmundjeje. Problemet e kancerit lidhen me parandalimin. Për ta parandaluar këtë sëmundje, ne kemi miratuar ligjin për duhanin, alkoolin që ndikojnë në një sërë patologjish.
Në përgjithësi, informimi dhe edukimi i shëndetit publik shkon paralel me politikat tona të parandalimit të kësaj patologjie. N.q.s i referohemi asaj çka është bërë në shifra konktrete, unë thashë edhe pak më parë që vetëm investimet në medikamente janë rritur deri në 6 herë. Kjo tregon sesa prioritar është ky sektor për Ministrinë e Shëndetësisë. A ka probleme? - ka probleme të të kuptuarit, të të përgatiturit dhe ka probleme në kapacitetet njerëzore. Ka probleme në të kuptuarit se cili është shëndet publik, cili është regjistër i kancerit, cili është trajtim, diagnozë, radioterapi, kirurgji. Ka probleme në shtrirjen gjeografike, në rritjen e aksesit të popullatës ndaj këtij shërbimi. Praktikisht, ne kemi një shërbim të centralizuar dhe sigurisht që ky shërbim ka nevojë të jetë sa më afër popullatës. Këtë proces e kemi filluar në drejtim të parandalimit. Ju keni dëgjuar për disa projekte që janë për depistimin e kancerit, projekte këto që janë të lokalizuara në disa zona.
Të gjitha këto së bashku do të bëjnë që kanceri në Shqipëri të trajtohet ashtu siç duhet. Edhe në Shqipëri ka shanse që kjo sëmundje të shndërrohet në faktorin e parë të vdekjes, ndaj duhet që kjo patologji të ketë vëmendjen që meriton.
Është shumë i rëndësishëm problemi i mentalitetit dhe mendojmë se kanceri nuk është sëmundja që ndodhi tani dhe nuk kemi çfarë të bëjmë. Sipas disa statistikave, 30-40% e kancereve shërohen, disa shërohen deri në 80 %, disa të tjerë kanë incidencën në 60 %. Ministria e Shëndetësisë ka parashikuar ndërtimin e shërbimit të ri të hematologjisë, i cili është parashikuar të ketë edhe transplantin e palcës së kockave. Vitin e ardhshëm është parashikuar që të ketë një radioterapi moderne, sipas standardeve.