E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivanov: Dënoni incidentet ndëretnike e fetare

SHKUP- Presidenti Gjorgje Ivanov pas takimit me krerët fetar në Maqedoni ka bere apel per  dënimin e incidenteve te fundit ndëretnike dhe ndërfetare nga të gjitha palët.

Takimi u zhvillua me ftesë të presidentit Ivanov, ku kanë marrë pjesë kreu i kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Maqedonase, z.Stefan dhe kreu i Bashkësisë Fetare lslame, Sulejman Rexhepi, informon agjencia e lajmeve INA.

Presidenti Ivanov kërkoi që dy udhëheqësit e bashkësive më të mëdha fetare të angazhohen me autoritetin e tyre dhe të ndikojnë në mirëbesimin ndërfetar.

“Nga ky takim doli përfundimi i përbashkët se çdo incident i izoluar, kudo që të ndodhë, duhet të dënohet, nga të gjitha palët. Presidenti pret që kryerësit e këtyre akteve duhet të dalin para drejtësisë”, theksohet në komunikatën pas takimit, duke shtuar se duhet të kultivohet bashkëjetesa ndëretnike, e cila tradicionalisht ka mbretëruar në Maqedoni.

Situata në Strugë ditëve të fundit është e tensionuar pas nxitjes së incidenteve me karakter fetar, që filluan me karnevalin e Vevçanit ku pati skena provokuese dhe përqeshëse për besimtarët mysliman, ndërsa kjo shkaktoi reagime dhe incidente që pasuan me grafite nëpër kishat e fshatrave dhe djegia e ambienteve ndihmëse të kishës në Labunishtë. (INA)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›