Shkarkimi i Spahiut, sot Komisioni hetimor paraqet faktet
Komisioni hetimor për shkarkimin e numrit dy të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) Kreshnik Spahiu, do të mblidhet sërish, ku pritet që të parashtrohen faktet dhe të dhënat që vërtetojnë ose jo pretendimin e deputetëve demokratë për mospërputhshmëri të ushtrimit të detyrës së nënkryetarit të KLD-së.
Kryetari i komisionit Enkelejd Alibeaj ka bërë të ditur se Spahiu është vënë në dijeni me anë të një shkrese zyrtare, ku dhe i është kërkuar që të vendos vetë për një ditë kur do të paraqitet në komision për të dhënë version e tij.
Ndërkohë deputetët e opozitës nuk morën pjesë në mbledhjen e kaluar të komisionit parlamentar për hetimin e Kreshnik Spahiut me arsyetimin se është një nismë jo kushtetuese.
Mazhoranca në kërkesën e saj argumenton se Spahiu ka shkelur ligjet, duke cënuar dinjitetin e institucionit që ai drejton, ndaj dhe nevojitet një komision hetimor.