E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivanov Presim perkrahjen e Shqiperise ne ikago

Maqedonia e pret përkrahjen e Shqipërisë në NATO, posaçërisht në samitin e ardhshëm në Çikago. Këtë pritje e ka shprehur presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov në takim me kryetaren e Parlamentit të Shqipërisë Jozefina Topalli.
Në këtë takim është shprehur edhe kënaqësia e dyanshme për nivelin e lartë të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve dhe është konfirmuar përcaktimi për përforcim të mëtutjeshëm të miqësisë dhe ndërtimit të fqinjësisë së mirë përmes dialogut.
Sipas njoftimit nga kabineti i presidentit Ivanov, bashkëbiseduesit kanë shkëmbyer mendime për gjendjen e integrimeve euroatlantike të Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe për situatën në rajon. Është biseduar edhe për mundësinë e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik, sepse ky bashkëpunim ende nuk korrespondon me nivelin e lartë të raporteve politike.
Konkluzë e përbashkët e takimit ka qenë se në rajon janë duke u avancuar proceset eurointegruese dhe se dy vendet duhet të vazhdojnë bashkëpunimin e mirë edhe përmes përkrahjes reciproke të integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, si dhe integrimit të Shqipërisë në BE.
Kryeparlamentarja Topalli ka theksuar se Republika e Shqipërisë e përkrah integrimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike, dhe se ndërtimi i marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore është element i rëndësishëm në funksion të integrimit evropian.
Bashkëbiseduesit janë dakorduar se nevojitet intensifikim i bashkëpunimit ekonomik dhe kanë theksuar rëndësinë e ndërlidhjes infrastrukturore dhe energjetike mes dy vendeve, por edhe thellim të bashkëpunimit në turizëm dhe bujqësi.
Marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Maqedonisë janë potencuar edhe në takimin që kryeparlamentarja Topalli ka realizuar me kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski. Dy bashkëbiseduesit kanë biseduar edhe për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. Në këtë drejtim është theksuar edhe nevoja për intensifikim të ndërlidhjes rrugore, hekurudhore dhe energjetike mes dy vendeve, posaçërisht në pjesën e korridorit 8. Gruevski dhe Topalli kanë konstatuar se Maqedonia dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë me bashkëpunimin e ndërsjellë në fushën e integrimeve euroatlantike, si dhe intensifikim të relacioneve ekonomike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›