Arrestohet supermashtruesi, kishte futur në kurth 23 kompani në Tiranë
Tiranë - Një djalë i ri në Tiranë, ishte kthyer në mjeshtër të vjedhjes së makinave të luksit, duke u shtirur si klient agjencish që japin automjete me qira në kryeqytet. Kjo aventurë e përsëritur shumë herë në një varg kompanish që ai “peshkonte”, ka marrë fund dje pasi ra në prangat e policisë. Strukturat e Hetimit të Krimit, të sektorit Kundër Krimit-Financiar në Policinë e Tiranës, kryen dje operacionin e koduar “Rent”, duke vendosur nën pranga 32-vjeçarin Hektor Mamli, lindur e banues në Tiranë. Burime policore thanë se i riu përballet me akuzat për “Mashtrim për më shumë se një herë” dhe “Mashtrim në shuma të mëdha”. Po sipas policisë, në sajë të një hetimi intensiv disa mujor, me metodat speciale të hetimit u arrit kapja e këtij shtetasi, në tentativë për t’u larguar nga Pika e Kalimit Kufitar Morinë. Ndaj Hektor Mamlit, janë deponuar një sërë kallëzimesh për mashtrim në shuma të konsiderueshme parash nga kompani si “Classic Ëolsksvagen Sh.P.K”, firma “Anas Sh.P.K, distributor i Fiatit në Shqipëri”, “Meridiane Travel & Tours Sh.P.K”, “Chevrolet Sh.P.K”, “Mitsubishi Sh.P.K”, “Anvil Sh.P.K”, “Lisingu Sh.P.K”, “Lumani Sh.P.K”, si dhe kompani të tjera, por edhe qytetarë të ndryshëm. I arrestuari, dyshohet se, duke shfrytëzuar njohjet shoqërore, ka realizuar më së miri marrjen në formën e borxhit të shumave të parave që varionin nga 5 000 euro deri në 8 000 mijë euro. Pas marrjes së parave borxh, i riu u linte si garanci shtetasve të ndryshëm, automjetet e marra me qira nga të gjitha kompanitë e sipërpërmendura. Aktualisht 32-vjeçari, kishte marrë me qira me anë të mashtrimit 23 automjete në pronësi të kompanive të mësipërme, vlerë e cila arrin në shumën prej 150 000 euro. Duke qenë se ka “lumë” dyshimesh për 32 -vjeçarin, policia deklaroi se u bën thirrje qytetarëve apo kompanive të ndryshme të mashtruar dhe dëmtuar nga ky person, të paraqiten për deponuar kallëzimet e tyre, pranë Seksionit kundër Krimit Ekonomiko – Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.
Trafikonte një grua të re me fëmijën për në Greqi, arrestohet
Gjirokastër – Një i ri është arrestuar dje nga policia e Gjirokastrës, pak orë pasi u kap gjatë natës duke trafikuar një grua me fëmijën e saj në drejtim të Greqisë. Burime policore informuan se është prangosur Taulant Balliu, 20 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mamaj të rrethit Tepelenë. Burime të Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastër thanë se arrestimi u bë pasi gjatë natës duke gdhirë e Enjtja, është kapur në flagrancë në afërsi të fshatit Kakavijë, pranë kufirit me Greqinë, duke shoqëruar një femër së bashku me fëmijën e saj të vogël. “Nga hetimi doli se 20-vjeçari, do t’i ndihmonte nënë e bir për të kaluar kufirin e gjelbër në mënyrë të paligjshme kundrejt fitimit nga 800 euro për gruan e re dhe 400 euro për fëmijën”, konfirmuan burimet policore. Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se së bashku me Tauland Balliun ka kenë edhe një tjetër, nga një fshat i rrethit Tepelenë, i cili i ka shpëtuar kapjes së policisë. “Ne nuk arritëm të kapim dhe prangosim të dyshuarin e dytë të trafikut të klandestinëve, pasi ai ishte disa metra më larg duke ndihmuar një person tjetër për të kaluar ilegalisht në Greqi, po kundrejt fitimit 800 euro dhe kur ishte duke u kapur Balliu, është larguar me shpejtësi duke përfituar nga errësira”, - detajoi policia. Gjithashtu nga veprimet hetimore rezultoi se organizatori i këtij trafiku ka qenë pikërisht i dyshuari që u arratis dhe tani po kërkohet nga policia. Mësohet se i zhdukuri, emri i të cilit nuk u bë i ditur për efekt hetimi, do të përfitonte 1600 euro, ndërsa i arrestuari Balliu, do të përfitonte 400 euro. Tani, që të dy përballen me akuzën për veprën penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit”.
17 Prill 2009